Xhaçka për Marrëveshjen e Ohrit: Lajm i mirë për të gjithë rajonin, Kosova tregoi guxim
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, deklaroi se marrëveshja e arritur në Ohër në 18 mars mes Kosovës e Serbisë është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ajo përgëzoi Qeverinë e Kosovës për seriozitetin dhe guximin e treguar, pasi sipas saj, arritja e një marrëveshjeje të tillë nuk është e lehtë.
Xhaçka tha se është shumë optimiste që me angazhimin konstruktiv e serioz të Qeverisë së Kosovës, atë të Serbisë, mbështetjen dhe monitorimin e BE dhe SHBA, veçanërisht gjatë procesit delikat të implementimit, ekzistojnë të gjithë kushtet që kjo marrëveshje të çojë me sukses drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ajo që dua të them, është që puna që duhet bërë deri në finalizimin e zbatimit të marrëveshjes, do të jetë komplekse, me sfida dhe do të kërkojë shumë përkushtim, seriozitet por edhe mbështetje nga partnerë e aleatë për të qenë e suksesshme. Është koha per hapa te vendosur, jo per ambiguitet. Marrëveshja dhe aneksi duhen zbatuar ne tërësinë e tyre, siç parashikon pika 2 e aneksit, jo duke zgjedhur ca dispozita dhe injoruar disa te tjera: Nuk duhet të pengohet anëtarësimi i Kosovës ne organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB, duhet te njihen dokumentet dhe simbolet kombëtare të Kosovës”, deklaroi Xhaçka.
Arritja e kësaj marrëveshjeje, normalizimi eventual i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, do të shuajë një nga vatrat e mundshme të konfliktit në rajon. E padyshim, duke hapur rrugën për avancimin e të dy vendeve në procesin e integrimit evropian, do të ndikojë ndjeshëm në konsolidimin e paqes, stabilitetit e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Xhaçka.
Xhaçka shtoi se Shqipëria ka qenë vazhdimisht në mbështetje të dialogut si dhe ka mbështetur planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që sipas saj, shërben si një pikënisje e mirë për dialogun.
“Ashtu siç kemi bërë në çdo moment, edhe në luftë, edhe në paqe, ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën me të gjithë mundësitë që kemi. Përpjekjet tona sot do të vazhdojnë të fokusohen tek procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tek procesi i njohjeve. Me arritjen e kësaj marrëveshjeje unë pres që këto procese të bëhen deri diku më të lehta dhe rezistenca të zbehet, pavarësisht se jemi të vetëdijshëm për pengesat që mund të krijojnë gjatë këtij procesi vende si Rusia apo ndonjë vend tjetër, që nuk e mbështesin dialogun dhe arritjen e një normalizimi të plotë mes Kosovës e Serbisë”, vijoi Xhaçka.