Vuçiq optimist: Shpresojmë një zgjidhje për dinarin në ditët në vazhdim
Një pjesë e fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë samitit për Ukrainën në Tiranë, Shqipëri, 28 shkurt 2024.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se shpreson që, në ditët në vazhdim, të gjendet një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Ai tha se, në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, beson se “do të mund të gjendet një zgjidhje jo e mirë”, por që “do të nënkuptonte mbijetesën e qytetarëve serbë në Kosovë”.
Ai nuk dha detaje se si do të mund të dukej ajo.
Nga fillimi i shkurtit, Banka Qendrore e Kosovës fuqizoi një rregullore, e cila e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në Kosovë.
Posta në Graçanicë ku serbët i merrnin në dinarë pagesat nga Serbia.
Rregullorja nxiti reagime të zemëruara si nga Serbia, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkoi pezullimin e saj, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve të prekur, që të përshtaten me praktikën e re.
Kjo rregullore ishte temë diskutimesh midis delegacioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, të martën në Bruksel.
Por, ndërmjetësuesi i bisedimeve, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit në Kosovë, mbetën pa përgjigje, andaj “duhen takime shtesë”.
Një kartëmonedhë prej 100 dinarësh serbë. Fotografi ilustruese.
“Shpresoj se do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje në ditët në vazhdim”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet.
Sipas tij, rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë, por se ato duhet të bëhen në euro.