Lajme

Vrasja e Agollit nga policia amerikane, 2 nga sherifët origjinë shqiptare

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten rreth orës 4 të pasdites në Paterson të shtetit amerikan të Nju Xhersit, ndërsa një patrullë policie ka qëlluar për vdekje në mes të rrugës një qytetar. Viktima është identifikuar si 42-vjeçari Luan Agolli, i cili deri tani dyshohet se vuante nga depresioni. Ai ishte këshilltar financiar me profesion. Skena është filmuar nga ballkonet apo dëshmitarët dhe tashmë video me pamjet e rënda qarkullon në rrjet.

Në një lidhje në emisionin “Opinion”, gazetarja Kozeta Turishta tha se 2 nga sherifët që kanë qëlluar mbi shqiptarin Agolli, ishin gjithashtu me origjinë shqiptare. Turishta tha se çështja është nën hetim dhe brenda 10 ditësh, pritet një raport mbi rastin.

“Çështja është në hetim. Bëhet fjalë për një të ri shqiptar, 42 vjeç me iniciale L.A. Ai ka qenë i armatosur në një moment tepër të rënduar psikologjik dhe ka kërcënuar policinë, duke i bërë thirrje që ta vrasin. Megjithatë policia e Paterson i ka dhënë kohë të mjaftueshme duke i bërë thirrje që ta dorëzonte armën. Ai nuk e ka dorëzuar armën, madje në një moment ka tentuar të drejtojën armën dhe policia ka të drejtë sipas ligjit të përdorë forcën, duke shtënë mbi trupin e tij. Ka patur shumë pyetje nga qytetarët, nëse mund ta plagoste, duke qëlluar në këmbë ose shpatull. Policia amerikane nuk është etrajnuar të qëllojë në këmbë, është e trajnuar që të qëllojë në gjoks, jo për të vrarë në shumicën e rasteve, por për të ndaluar. Madje sipas ligjit policia duhej të reagonte brenda 1 minute, por ka pritur 2-3 minuta duke i thënë të dorëzonte armën. Megjithatë brenda 10 ditësh do të ketë një raport të saktë mbi çështjen”. Më tej këtij raportimi gazetarja I ka shtuar edhe një detaj nga informacionet që ajo vetë kishte arritur të merrte.

“Nga patrulla e policisë, 2 zëvendës sherifa kanë qenë me origjinë shqiptare”, u shpreh Kozeta Turishta. /Opinion.al