Lajme

Von Cramon thotë se janë përgatitur masat ndaj Serbisë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka konfirmuar se ndaj Serbisë është përgatitur paketë masash, si përgjigje ndaj sulmit të armatosur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Ajo ka thënë se durimi i Perëndimit ndaj politikave destabilizuese të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është drejt fundit.

“Nuk do t’i quaja sanksione, sepse ato duhen miratuar nga Këshilli, por flasim për masa politike dhe financiare, që natyrisht do të dëmtojnë qeverinë e Serbisë”, ka thënë Von Cramon për “Euronews Albania”.

Sipas saj, Vuçiqi duhet të bashkëpunojë dhe të sigurojë hetim korrekt për ngjarjen e 24 shtatorit.

“Vuçiq është në kontroll të shumëçka ndodh në Serbi. Vështirë të mendohet se ai nuk kishte dijeni se çfarë po ndodh sa i takon blerjes së armatimeve, apo organizimit të grupit agresor. Megjithatë, nuk mendoj se Serbia ka interes për një sulm më të madh ushtarak, apo për luftë”, ka thënë ajo.

Për raportuesen për Kosovën është me rëndësi që Serbia të nënshkruajë çdo marrëveshje të arritur me Kosovën, ndërsa që Kosova ta sigurojë krijimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në veri.

Von Cramon ka zbuluar se për çështjet e mbetura pezull në dialogun mes palëve, është në diskutim një propozim i ri.

“Ajo që kuptoj është se shumë diplomatë po hartojnë një tjetër propozim se si do ia bëjmë para. Më tepër detaje nuk mund të jap për momentin”, ka thënë ajo.

Edhe më i ashpër ndaj Serbisë ka qenë Thijs Reuten, eurodeputeti holandez. Ai ka thënë se është e qartë që Serbia është destabilizuesja dhe se ndaj saj duhet të ketë masa.

“BE duhet të braktisë politikën katastrofale të pajtimit me Vuçiqin sepse nuk po funksionon. Sa herë Vuçiqi është kthyer nga Brukseli në Beograd dhe me krenari ka treguar se nuk ka firmosur gjë, Komisioneri Varhelyi i ka shkuar në derë me 600 milionë euro! Kjo duhet të marrë fund!”, ka thënë ai.

Për Reutenin, është me rëndësi rikthimi në tryezën e dialogut, por vetëm pasi të jenë ndalur provokimet.

Euro-deputeti holandez ka kritikuar edhe marrëdhënien e afërt mes Serbisë dhe Rusisë./EuronewsAlbania