Lajme

Von Cramon e quan përrallë deklarimin se Boltoni e jo Trumpi kishin ide për shkëmbim kufijsh

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, nuk po i beson deklarimeve të të Dërguarit Special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenellin, se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e presidentit Donald Trump, por e ish-këshilltarit të tij, John Bolton. Këto ajo i ka quajtur përralla.

Në një përgjigje të ashpër ndaj një postimi të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti në Twitter, Von Cramon ka thënë se në Kosovë liderët duhet t’i thërrasin mendjes e të merren seriozisht me politikën e jashtme.

“Mbrëmë Richard Grenell kishte thënë se shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte ide e John Boltonit dhe lobistëve dhe tani atij i duhet të luftojë spekulimet dhe se kjo nuk ishte politikë e Donald Trumpit. Kur isha në krye të ekipit negociator, asnjë përfaqësues i SHBA-së nuk ka përmendur ndonjëherë shkëmbimin e territoreve”, ka shkruar Ahmeti sot gjatë ditës.

Në një reagim për këtë, Von Cramon ka thënë se popullit nuk duhet t’iu flitet më për këto çështje, por ka ardhur koha që të ketë seriozitet në politikën e jashtme.

“Sigurisht është faji i John Boltonit që njerëzit flasin për shkëmbime territoresh. Tani të gjorit Richard Grenell i duhet të luftojë këto spekulime… lëre. Thirrni mendjes e mos u tregoni më njerëzve këso përralla. Bëhuni serioz në politikën e jashtme më në fund. Ka ardhur koha”, ka shkruar ajo.

Deklarimet e Grenellit vijnë pak ditë para takimit të Kosovës dhe Serbisë në SHBA, i paralajmëruar për 27 qershor.