Vjedhja e dy milionëshit, sekuestrohen makinat e të përfshirëve në Kosovë
Prokuroria Speciale të Kosovës ka urdhëruar sekuestrimin e tre makinave në pronësi të personave të përfshirë në vjedhjen mbi dy milionë eurove nga thesari i shtetit
Policia e Kosovës përmes një raporti të orëve të fundit bën me dije se sekuestrimi i automjeteve është bërë mbrëmjen e së shtunës në Drenas.
“Drenas 09.10.2020 – NN. Me 24.10.2020 21:30. Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë sekuestruar tri vetura. Rasti është duke vazhduar të hetohet”, thuhet në njoftimin e policisë.
Katër herë me radhë, zyrtari i Thesarit dyshohet se ka transferuar 2,077,995.90 eurot e shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”, me bazë në Llapushnik të Drenasit, pronarët e së cilës ndodhen në arrati.
Ndërkohë deri më tani në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar vetëm zyrtari i Thesarit, Labinot Gruda, për të cilin Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh./abcnews