Lajme

Veseli: Dorëheqja e Haradinajt kalkulim partiak, jo e papritur

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit ishte e pa konsultuar, por jo edhe e papritur.

Në mbledhjen konstituive të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli ka thënë se dorëheqja e Haradinajt nuk ka qenë pa kalkulim partiak.

“Në këtë takim të parë të Këshillit Drejtues të partisë sonë, jemi mbledhur sot, edhe për përgjigje të një situate të re, e cila është krijuar në vendin tonë. Kryeministri ka dhënë dorëheqje. Dorëheqja e Kryeministrit ishte e pa konsultuar. Por jo edhe e papritur! Vendim ad-hoc dhe befasues për të tjerët, por jo edhe i papritur dhe pa kalkulim partiak të paramenduar nga kryeministri tani i vetëlarguar”, ka thënë Veseli.

Ai po ashtu ka thënë se PDK është e gatshme për zgjedhje.

“Tradicionalisht, PDK, ka dëshmuar në gjithë historinë e vet, se legjitimiteti qytetar çdo herë, i marrë nga zgjedhjet e drejtpërdrejta është forma më legjitime dhe e arsyeshme e mbajtjes së pushtetit për ne si parti. Kështu kemi vepruar çdo herë, edhe kur ne kemi udhëhequr qeverinë edhe herën e kaluar me LDK-në kur u tentua të sulmohej rëndë PDK-ja për jo korrektësi politike. Kjo dorëheqje e paprovokuar nga PDK, tregon moralin tonë të vërtetë politik, të drejtë dhe parimor”, ka shtuar ai.

“PDK do të jetë fituese e zgjedhjeve, jo thjesht për ta mbrojtur dhe garantuar qëndrueshmërinë e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, të cilën e kemi detyrë patriotike dhe kushtetuese. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, për ta ndryshuar Kosovën”, theksoi ai. “Ne nuk luftojmë të fitojmë vetëm një palë zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës lufton të fitojë Kosova, për të mos lejuar që të tjerët ta dështojnë Kosovën”, ka deklaruar Veseli.

Veseli ka lavdëruar procesin e brendshëm zgjedhor në PDK duke shtuar se “me mijëra vajza e djem, të rinj e të moshuar, burra e gra, intelektualë e punëtorë, sipërmarrës, mjekë e arsimtarë, sot qëndrojnë të gatshëm për të shënuar fitoren e radhës të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet që po vijnë”.

Haradinaj dha dorëheqje më 19 korrik duke u arsyetuar se nuk dëshiron t’i përgjigjet ftesës nga Gjykata Speciale në cilësinë e kryeministrit, por vetëm si qytetar.

Ndërkohë, në një prononcim për televizionin publik, Veseli ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të votojë për shpërbërjen e vet dhe të caktohet data e zgjedhjeve, në mënyrë që vendi të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje.

“Mos t’i maltretojmë qytetarët, është koha e vendimmarrjes. I kisha thirr kolegët e mi të partive politike, të mblidhemi në Kuvend, duhet të ndodhë shpërbërja e Parlamentit, të merremi vesh për datën e zgjedhjeve”, tha Veseli.

Ai ka thënë se ka dy mundësi për caktimin e zgjedhjeve, takimi i partive politike me presidentin dhe vendimi i Kuvendit për shpërbërje, që sipas Veselit ky i dyti është dhe më i shpejt. Veseli tha se do të marrë iniciativën, që është në përgjegjësit e tij kushtetuese, për të thirrur një seancë të Kuvendit, për të vendos shpërbërjen me dy të tretat e votave.

“Është koha e vendimmarrjes. I kisha ftuar kolegët e mi të partive të politike që të mblidhemi në Kuvend dhe të merremi vesh për datën dhe ta vetëshpërbëjmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje. Kjo është më e mira për zgjedhje”, tha ai.

Në lidhje me ftesën e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj që u ka bërë për takim partnerëve qeverisës, Veseli ka lënë të nënkuptohet se nuk do t’i përgjigjet ftesës, duke pohuar se kjo tani nuk ta të bëjë me asnjë individ dhe se “kryeministri në largim, është kryeministri në largim”.

“Dorëheqja ka qenë dëshirë e kryeministrit. Ne do të shkojmë në proces zgjedhor. Qytetarët janë ata që i japin dikujt mandat qeverisë. Nga ky proces zgjedhor do të kemi një rezultat bindës për PDK-në. Kosova ka institucione, nuk ka nevojë të krijohet konfuzion. Zgjedhjet janë të pashmangshme. Partitë politike të mos mbajnë deklarata, por të marrin vendimin për shpërbërjen e Kuvendit me dy të tretat dhe të ecim më tutje”, tha Veseli.