FutbollSporti

Veprimi i pamenduar ndaj arbitrit, dënohet rëndë Ribery

Nervozizmi në fund të ndeshjes me Lazion do t’i kushtojë rëndë skuadrës së Fiorentinës e cila në ndeshjet e ardhshme në kampionat do të luajë pa sulmuesin Franck Ribery i cili u skualifikua për 3 javë për veprimin e dhunshëm ndaj arbitrit anësor.

Ish lojtari i Bayern Munchen shtyu dy herë me shpatull anësori Passeri, pasi sipas francezit nuk reagoi për një faull ndaj Sottil në aksionin në fund të takimit ku u shënua dhe goli i fitores nga ana e lacialëve.

Sipas asaj që raporton arbitri Guida, Ribery mori një karton të kuq në minutën e 97 të takimit për një shtyrje ndaj arbitri anësor. Një gjest ky që do i rëndojë mbi shpatulla atij dhe ekipit edhe pse më pas kërkoi falje përmes një postimi në rrjetet sociale.

Por për incidentet në këtë ndeshje Gjykata Sportive ka dënuar dhe teknikun Montella, i cili sipas saj ka hyrë në fushë në fund të takimit dhe ka shfaqur sjellje kërcënuese ndaj drejtuesve të garës. Montella nuk do të jetë në stol në ndeshjen e radhës në kampionat përballë Sassuolos.