Bota

Vaksinat kundër Covid 19, Merkel ngriti shqetësime për vendet e varfra

Në samitin e G20 –ës, kancelarja gjermane Angela Merkel ngriti shqetësime lidhur me qasjen e vendeve më të varfra të botës në vaksinat kundër Covid 19-ës. Liderët pjesëmarrës në takim premtuan se do të ketë shpërndarje të ndershme të vaksinës e cila konsiderohet si rruga më e mirë për rikthimin e normalitetit. Megjithatë, shefja e ekzekutivit gjerman paralajmëroi se progresi është i ngadaltë, e tha se do ta shtrojë për diskutim këtë çështje edhe me aleancën globale të vaksinës, GAVI. Do të flasim me Gavin mbi kohën se kur do të fillojnë negociatat, sepse sinqerisht druhem se deri tani, nuk është bërë asgjë, pohoi Merkel. Komentet e saj erdhën në kohën kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se disa amerikanë mund të vaksinohen që në 11 dhjetor. Samiti i G20-ës u mbajt këtë radhë online për shkak të pandemisë së koronavirusit. Gjatë konferencës, vendet më të pasura të globit premtuan të mbështesin vendet e varfra ekonomitë e të cilave janë dëmtuar keq nga kriza.