Bota

Trumpi s’ka të ndalur, thotë “ne do të fitojmë”

Pavarësisht se së fundmi në konferencën për media, Donald Trump dha shenja se mbase nuk do të jetë presidenti i ardhshëm amerikan, ai vazhdon të thotë se “do të fitojë”.

Mijëra mbështetës të tij sot u mblodhën në Washington për ta përkrahur. Trumpi e shpërndau një video të këtij tubimi në Twitter dhe shkroi “ne do të fitojmë”.

Grupet e ekstremit të djathtë dhe anti-qeveritar duke përfshirë “Proud Boys” (Djemtë Krenarë), Oath Keepers dhe QAnon e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në protesta, për të përkrahur Trumpin, në pretendimet e tij deri tash të pabazuara, për mashtrim të votuesve në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Tubimet e së shtunës janë reklamuar nga figura të medias konservatore si dhe organizata të nacionalistëve të bardhë dhe pritet të përballen nga demonstrata rivale me protestues të grupeve anti-raciste dhe organizatave të majta.

Sipas mediave amerikane, demokrati Joe Biden i ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit. Bideni ka kaluar pragun prej 270 votash sa i duhen një kandidati në Kolegjin Zgjedhor.