LajmeTë fundit

Tri shqiptare synojnë ulëse në Parlamentin austriak

Në garën zgjedhore për 183 ulëset në Parlamentin e Austrisë janë edhe tri kandidate shqiptare. Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) si dhe Serafina Demaku nga partia SPÖ (Partia Socialdemokrate e Austrisë).

Kandidatet shqiptare kanë ftuar bashkëkombësit e tyre që të shfrytëzojnë të drejtën dhe të votojnë kandidatët shqiptarë, që për herë të parë të bëhen pjesë e Parlamentit Austriak.

“Shqiptarët në Austri fatkeqësisht janë komuniteti që më së paku dalin në zgjedhje. Ne duhet të jemi të integruar në secilën sferë të jetës në Austri dhe duhet të jemi faktorë edhe në jetën politike të Austrisë. Në rast se ne nuk përkrahim njëri – tjetrin nuk mund të forcohemi si komunitet. Ne ankohemi tërë kohën kurse nuk jemi në gjendje një ditë të dalim dhe të votojmë për të ndryshuar gjendjen dhe për të kërkuar të drejtat që na takojnë”, ka thënë për albinfo.ch, kandidatja Drita Cacaj e cila theksoi se të gjithë ata që kanë nënshtetësi austriake e kanë për obligim moral dhe ligjor për të votuar.

Kush janë kandidatet

Drita Cacaj është kandidate në listën e Partisë Popullore të Austrisë, OVP, që udhëhiqet aktualisht nga ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz. Me përvojën e saj mbi 10-vjeçare në politikën austriake, ajo beson se do të dalë fituese e kësaj gare.

Në listat për deputetë të partisë së kandidatit për kancelar, Sebastian Kurz (ÖVP) gjendet edhe Ina Rexhepi. Ajo është 36 vjeçare, e lindur në Prizren ndërsa së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët jeton në Wels të Austrisë. Bashkë me familjen e saj udhëheqin një kompani të suksesshme të dizajnit. Ina prej shtatë vitesh është anëtare e Partisë Popullore të Austrisë.

Serafina Demaku, 23 vjeçarja shqiptare ka lindur në Baden të Austrisë, kurse me prejardhje është nga Arbria e Drenicës. Serafina ka qenë e angazhuar në organizata joqeveritare për çështjen e migracionit. Në vitin 2015 hyn në udhëheqjen e të Rinjve Socialistë të Austrisë, ku deri në maj të vitit 2017, mban edhe pozitën e Sekretares së të Rinjve Socialistë të Austrisë. Ajo kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e kaluara nga po e njëjta parti.