Lajme

Të enjten në Bruksel vazhdon dialogu Kosovë-Serbi

Kordinatorët nga Kosova dhe Serbia të enjtën në Bruksel, diskutojnë temat që u biseduan në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi që u mbajt javën e shkuar nën ndërmjetësimin e BE-së.

Në Bruksel do të takohen (me 23.07) përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar temat që janë hapur në takimin e nivelit të lartë, që u mbajt javën e shkuar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kështu tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE, Nabila Massrali.

“Ne i kemi dërguar ftesat, presim që të dëgjojmë nga palët. Takimi i nivelit të ekspertëve do të fokusohet në temat që janë diskutuar”, thotë Massrali. Eksperët e të dyja vendeve, sipas Prishtinës zyrtare, do ta përgatisin draftin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Ndërsa kundërshtojnë pohimet që dialogu i së enjtes në Bruksel ka karakter teknik. Kryeministri Hoti, tha në mbledhjen e qeverisë, se “objektivat janë të qarta për ta përmbyllur këtë proces dhe jo të vazhdon si dialog teknik”.

Gjykata konfirmoi pavarësinë

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik 2010, me një votë bindëse prej 10 me 4, erdhi në përfundim “se deklarata e pavarësisë së Kosovës, e miratuar me 17 shkurt 2008, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ky Mendim i Gjykatës ishte konfirmim dhe afirmim i qëndrimit të Kosovës dhe argumenteve ligjore përgjatë gjithë procesit këshillëdhënës. Pra mendimi nuk lë asnjë dyshim se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte dhe është legjitime dhe në harmoni me të drejten ndërkombëtare”, shkroi koordinatori i qeverisë së Kosovës në dialog, Skender Hyseni. Sipas tij, edhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte i qartë edhe me Rezoluën 1244 të KS, mbi bazën e së cilës u vendos Administrata e OKB-së në Kosovë.

“Deklarata e pavarësisë nuk ka shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244, thuhet aty duke dhënë arsyetim të drejtpërdrejtë se Rezoluta 1244 e KS të OKB ishte në thelb e disenjuar për të krijuar një regjim të përkohshëm për Kosovën. Rezoluta nuk ka përmbajtur ndonjë dispozitë që merret me statusin final të Kosovës, prandaj, ekzistenca e Kosovës si shtet sovran nuk mund të shkelë rezolutën 1244 të KS të OKB-së”, shkroi Skender Hyseni.

Serbia kundërshton pavarësinë

Autoritet e Serbisë nga ana e tyre vazhdojnë ta kundërshtojnë pavarësisë e Kosovës, sikundër që bëjnë thirrje që çdo marrëveshje Kosovë-Serbi, duhet ta ketë për bazë rezolutën 1244 të KS të OKB.

Mundësia e rinisjes së një dialogu “teknik”, Kosovë-Serbi, po kundërshtohet në Prishtinë edhe nga përfaqësues të presidencës së Kosovës. Shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh këshilltari kryesor politik i presidentit, Bekim Çollaku, thotë se “qëllimi i dialogut me Serbinë, duhet të jetë marrëveshja përfundimtare për njohje reciproke dhe jo rinisja e një dialogu teknik të udhëhequr nga Bashkimi Evropian”.

“Rinisja e dialogut teknik të udhëhequr nga BE-ja nuk është në interesin e Kosovës. Ai është dizajnuar për të justifikuar hapjen e më shumë kapitujve për pranimin e Serbisë në BE, teksa e lë Kosovën të izoluar dhe në status-quo. Qëllimi duhet të jetë marrëveshja përfundimtare politike me njohje reciproke”, shkroi Çollaku në Twitter.

Mundësinë e vazhdimit të dialogut teknik Kosovë-Serbi, po e kundërshtojnë edhe dy partitë opozitare, lëvizja Vetëvendosja dhe Partia Demokratike e Kosovës Ato thonë se edhe vet “kryeministri Hoti nuk është i përgatitur për dialogun dhe nuk ka as platformë apo ekip për këtë proces”.

Kryeministri Hoti të premten datë (24.07), do të raportojë para kuvendit për rrjedhën e deritashme të dialogut me Serbinë. Ai thotë se do të raportojë sa herë i kërkohet para deputetëve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë, Beogradi e pati kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës që tashmë është hequr e që kurr nuk u mbështetë as nga faktori ndërkombëtar.\DW