Shqiptarët e Luginës po tjetërsohen, Serbia pasivizoi mbi 6 mijë adresa
Qytetarët e Luginës së Preshevës nuk kanë mundësi të lëvizjes së lirë. Tash e sa vjet ata janë shpërngulur në Kosovë, por të njëjtit nuk posedojnë as edhe lejeqëndrim. Ata po maltretohen për të siguruar dokument të tillë, ndërkohë që për shtetësi të Kosovës kanë pak shpresa.
Ata thonë se mungesa e dokumentacioneve po ua vështirëson jetën. Në anën tjetër, janë mbi 6 mijë adresa të cilat janë pasivizuar nga Qeveria e Serbisë. Kryeministri i Kosovës, ditë më parë ka premtuar se do të lehtësohen këto procedura për qytetarët nga Lugina.
Familja e Fikri Mehmetit ishte shpërngulur para më shumë se dy dekadave në Gjilan. Ai dhe anëtarët e tij të familjes nuk janë të pajisur me asnjë dokument identifikimi. Ndërsa tregon për KosovaPress të gjitha vështirësitë në të cilat po has si shkak i mungesës së dokumentacioneve.
“Ne ballafaqohemi me shumë probleme, është fjala për një hendikep të plotë për të jetuar si qytetar në Republikën e Kosovës. E kemi mirëkuptuar qeverinë e përkohshme, e cila ka dal menjëherë pas luftës dhe nuk ka pasur rastin me zgjidh këtë çështje. Por, nuk e kemi kuptuar qeverinë pas shpalljes së pavarësisë, e cila vazhdimisht ka vendosur kritere të rënda dhe të vështira. Ka qenë kriter sigurimi i të pasurit 5000 mijë euro në bankë, të pasurit pronë në emër personal. Gjë që nuk besoj që asnjë qytetar në Kosovë mundet me i plotësuar këto edhe vet që jetojnë këtu”, tregon Mehmeti.
Ai ka aplikuar me dhjetëra herë që nga viti 2015 për leje-qëndrim në Kosovë, ndërkohë që për letërnjoftim nuk ka as edhe shpresa.
“Ne kemi aplikuar që nga viti 2015 vazhdimisht herë na është lejuar herë na është anuluar leje-qëndrimi. Është fjala për leje-qëndrim sepse për letërnjoftim në Kosovë, një herë shpresat janë zero. Leje-qëndrimin ne kemi arrit me dëshmua me dokumente prej Serbisë prej Ministrisë së Punëve të Brendshme që nuk kemi asnjë lloj dokumenti atje, as letërnjoftim e as pasaportë. Edhe atë nuk e kanë njohur, në disa raste e kanë njohur, në disa tjera jo. Kanë bërë standarde të dyfishta dhe sa herë kemi aplikuar kemi pasur vështirësi të ndryshme”, thotë mes tjerash ai.
Mehmeti shton se sa herë që ka dashur të aplikojë, i janë kërkuar mbi 13 dokumente.
Në po këtë gjendje janë mbi 4 mijë shqiptarë të luginës të cilët me dhjetëra herë kanë aplikuar për sigurimin e dokumentacioneve, dhe janë refuzuar.
“Nuk ke mundësi me lidh kontratë pune, shumica prej nesh është dashur me ndërprerë kontratën e punës, për shkak se ai nuk ka pasur mundësi me të mbajt në “të zezë”. Të tjerë ka që nuk munden me lidh kurorë, nuk munden me ndjek kurse ose trajnime të ndryshme. Nuk munden me u regjistrua në entin për punësim. Ka raste të cilat nuk munden me i gëzu shërbimet të cilat i ofron spitali pa pagesë. Kalon edhe në atë nivel që të vdekurit tanë nuk mund t’i varrosem lehtësisht, sepse kërkohet një identifikim se kush janë”, rrëfen ai.
Dikujt tjetër po i pamundësohet edhe vizita tek të afërmit në Kosovë. Z.S e cila ka prejardhje nga Medvegja, në kushte anonimiteti tregon se para disa ditëve është kthyer në aeroportin e Gjenevës në Zvicër, meqë nuk ka qenë e pajisur me letërnjoftim të Kosovës.
“Unë tash e sa muaj kam rezervuar biletën për të ardhur në Kosovë. Ditën e fluturimit jam kthyer në aeroportin e Gjenevës në Zvicër. Unë jam e pajisur me leje-qëndrim në Zvicër, kam edhe pasaportën e Serbisë. Por, ata kanë dashur garancion që më lejojnë hyrjen në aeroportin e Prishtinës. Kur i kam telefonuar më kanë thënë që jo”, tregon ajo.
Mirëpo, ajo shton se nga Ambasada e Kosovës në Gjenevë i kanë thënë se mund të udhëtojë me këto dokumente.
Në lidhje me këtë, kryeministri Albin Kurti kishte premtuar se do të lehtësohen procedurat e sigurimit të dokumentacioneve nga shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Unë jam në kontakt edhe për këtë çështje me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën lidhur me diskriminimin në të cilin janë ndodhur pa fajin e tyre shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Dhe ai po merret me këtë punë që të hiqet kjo shumë e madhe prej 5 mijë euro si dëshmi dhe në njërën nga mbledhjet e ardhshme do ta sjellim edhe këtë për vendim në mënyrë që të mos vazhdohet si deri më tani ku duhet të jesh bukur i pasur në mënyrë që të jesh i lëvizshëm”, ka deklaruar Kurti.
KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Zyrën për Informim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, po të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Në anën tjetër, pasivizimi i adresave të banorëve të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit, Mustafi konsideron se është proces i fshehur administrativ, me qëllim të spastrimit etnik.
“Ne konsiderojmë që sipas disa vlerësimeve mund të jenë 3000 deri në 4000 në Medvegjë, e 2000 në Preshevë e Bujanoc. Qytetarët shqiptarë të cilët janë të targetuar në mënyrë selektive duke keqpërdorur ligjin për vendbanimet nga Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht nga stacionet në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc ka filluar procesi i pasivizimit që në vitin 2011 dhe tashmë ka marrë edhe përmasa më masive. Ajo që për ne në këtë rast është jashtëzakonisht shqetësuese është kjo qasje e Republikës së Serbisë, e cila është një qasje ksenofobe, për më tepër albanofobe ndaj shqiptarëve”, shprehet ai. Përfaqësues nga Lugina po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të përfshihet çështja e banorëve në dialogun Kosovë-Serbi. Mes tjerash, edhe njohjen e diplomave të studentëve të cilët po vijnë në Kosovë të studiojnë, por që po mbesin pa punë. /KP/