Kryesore

Shqiptarët e Luginës kërkojnë të njëjtat të drejta siç parashihen për serbët në planin evropian

Ngritja zyrtarisht e kërkesës legjitime dhe të drejtë të reciprocitetit në të drejta midis serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi në dialogun e Brukselit, është hapi që përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të përfshihet në planin franko-gjerman, të njohur edhe si plani evropian.

Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë shqiptarë të Komunave të Luginës së Preshevës përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar të drejta të barabarta siç parashihen për serbët në planin evropian.

Ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, me qëllim të barazimit të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës me pozitën e serbëve në Kosovë.

Kjo deklaratë është nënshkruar nga përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të tri komunave të Luginës së Preshevës, deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Nacional shqiptar, Ragmi Mustafa, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Enver Ramadani, kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Sami Salihu, kryetar i PDSH-së, Ragmi Mustafa, këshilltari i Komunës së Medvegjës, Femi Beja.

E njëjta nuk është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi dhe kryetari i LPD-së dhe nënkryetar i Komunës së Bujanocit, Shqipërim Musliu.

Më poshtë mund të lexoni dokumentin e plotë:

Deklaratë e përfaqësuesve politikë dhe institucionale shqiptarë të Komunave të Luginës së Preshevës Konteksti aktual gjeopolitik pas pushtimit rus të Ukrainës kërkon një dinamikë më të theksuar, sidomos në çështjet e sigurisë, të drejtave të pakicave dhe parimit të sigurisë kolektive të regjionit të Ballkanit Perëndimor.

Pra, në këtë drejtim është me rëndësi që Lugina e Preshevës të jetë në fokus të politikave transatlantike perëndimore, edhe me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Për t’u arritur kjo, natyrisht, kërkohet përfshirje zyrtare dhe substanciale e çështjes së Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Të flitet për komunitetet jo-shumicë në Kosovë e jo për ato në Serbi, nuk i shërben paqes së nesërme, por përkundrazi. Angazhimi për reciprocitet në të drejta të komuniteteve jo-shumicë është i bazuar në parimin e barazisë, dhe për ne kjo është jetike.

Kjo simetri dhe ky harmonizim në të drejta të komuniteteve jo-shumicë në rajon do t’i shërbente evropianizimit dhe demokratizimit të Serbisë, dhe do t’i jepte legjitimitet përfshirjes së Bashkimit Evropian, në rolin e tij Lehtësues të Dialogut.

Ngritja zyrtarisht e kërkesës legjitime dhe të drejtë të reciprocitetit në të drejta midis serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi në dialogun e Brukselit, është hapi që po e bëjmë sot, ne, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës.

Ne i kërkojmë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që t’i japin mbështetje këtij parimi fisnik, që mbështetet në traditën liberale të shteteve demokratike në kontinentin tonë.