Të fundit

Shkurtimi i buxhetit me 20% rrezikon funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar

Ekzekutivi i Këshillit Kombëtar Shqiptar e sheh si të padrejtë dhe të jashtëligjshme njoftimin nga Zyra për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në kuadër të Kryeministrisë, e cila ka bërë të ditur se do të shkurtojë financimin e Këshilliave Kombëtare me 20%. Një gjë e tillë shihet si e jashtëligjshme, duke pasur parasysh se projekt buxheti për këshillat kombëtare miratohet në parlamentin republikan, e jo nga Zyra e lartpërmendur. “Kjo është goditja e radhës ndaj këtij institucioni, i cili me një ndalesë të tillë, rrezikon funksionimin e rregullt të tij”, thuhet në njoftimin e publikura të KKSH-së në facebook. Vlen të theksohet se gjatë mbledhjes, ekzekutivi ka përshëndetur punën e deritanishme të KKSH, sa i përket sigurimit të teksteve mësimore në gjuhën shqipe si dhe shpërndarjes së mbi 23 mijë librave falas për nxënësit shqiptar të shkollave fillore, të realizuar me ndihmën e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës.