FutbollSporti

Shaqiri luajti pak, por fiton trofeun që i ka munguar

Për shkak të lëndimeve, Xherdan Shaqiri ka pasur edicion të vështirë. Por ai ka “dorë” në titullin e parë të Liverpoolit në 30 vjetët e fundit.

Titulli i Premier Leagues i ka munguar yllit shqiptar të futbollit, raporton KOHA. Reprezentuesi i Zvicrës ka luajtur gjashtë ndeshje këtë edicion në Premier League, kurse ka një gol. Ai mund të luajë edhe ndeshje tjera deri në fund. Numri i vogël i ndeshjeve është pasojë e lëndimeve rresht e jo i mungesës së cilësisë apo besimit të trajnerit Juergen Klopp.

Gjithsej Shaqiri ka dhjetë ndeshje këtë edicion. Më shumë se ndeshje këtë edicion ka trofe të fituar në karrierë. Ai është bindshëm lojtari më i dekoruar shqiptar, kur bëhet fjalë për nivelin e lartë.

Me Baselin kishte tre tituj të kampionit të Zvicrës dhe dy kupa të Zvicrës. Me Bayernin ka fituar dy herë Bundesligën, dy herë kupën e Gjermanisë, një herë Superkupën, një herë Ligën e Kampionëve, një herë Superkupën e Evropës dhe po ashtu Botërorin e klubeve.

Me Interin e Stoke Cityn nuk ka fituar trofe, por me Liverpoolin dy me shumë peshë. Vjet e fitoi Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e klubeve. Tani e ka shtuar në këtë listë impresive edhe Premier Leaguen.