Shaip Kamberi: Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu u deklaruan se janë për një politikë “pragmatike” me Beogradin
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik Shaip Kamberi, si dhe bartësi i listës “ Koalicioni i Shqiptare të Luginës” për zgjedhjet parlamentare në Serbi, në një intervistë për gazetën ‘nacianonale’ ka deklaruar se Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit dhe Lëvija për Reforma e Sami Salihut janë për politikë “ pragmatike” me Beogradin, pëcjell Ministria e Lajmeve
Ai gjithashtu ka treguar për gazetën Nacionale arsyet e mosbashkëpunimit me Alternativen për Ndryshim.
“Ne patëm qëndrime të kundërta rreth çështjes esenciale me Alternativën për Ndryshim, të cilës më vonë iu bashkua edhe grupi qytetar ‘Lëvizja për reforma’, rreth konceptit politik që duhet ndjekur pas zgjedhjeve. Alternativa dhe grupi qytetar Lëvizja për Reforma u deklaruan se janë për një politikë ‘pragmatike’ me Beogradin, pa sqaruar qartë se çfarë nënkupton ky pragmatizëm. Ne jemi për të biseduar me autoritetet qendrore, por vetëm për çështjet ekzistenciale të shqiptarëve që janë të përmendura në kuadër të Planit shtatë-pikësh, e kurrsesi për një pragmatizëm që nënkupton disa benefite individuale apo grupore që mund të ofrojë qeveria e re”, – ka thënë Kamberi.
Sipas tij, rivalët politikë nuk i kanë qartësuar sa duhet raportet me Beogradin.
“Nuk mund të bëhemi pjesë e skemave të ardhshme pragmatike me Beogradin, pa u sqaruar këto tema, kjo edhe për shkak të përvojës së hidhur që kemi në raport me Beogradin zyrtar. Ne kemi tri marrëveshje të nënshkruara me Qeverinë në Beograd që nuk po respektohen. Prandaj, ne nuk mund të themi të harrojmë të kaluarën dhe po fillojmë nga e reja. Serbia, me marrëveshjet e nënshkruara ka marrë obligime ndaj Luginës së Preshevës të cilat nuk po i respekton, prandaj edhe besimi në këtë apo qeverinë e ardhmshme është zero”, – ka thënë ai.
Kamberi ka bërë me dije se ndarja e shqiptarëve në dy lista nuk do të ndikojë në numrin e deputetëve.
“Këtu nuk është beteja vetëm për vende në parlament, por edhe për dy koncepte politike që duhet të ndjekim në të ardhmen. Mbetet të shohim se cilit koncept do të orientohen zgjedhësit tanë. Në anën tjetër, nëse do të ketë angazhim serioz të subjekteve pjesëmarrëse përsëri, të dy listat mund të fitojnë tri mandate”, – është shprehur Kamberi