LajmeTë fundit

Selimi: Përfshirja e Kosovës në Mini-Schengen do të ishte vetëvrasje

Selim Selimi nga kabineti i kryeministrit në detyrë të Kosovës ka thënë se përfshirja e Kosovës në iniciativën për Mini-Schengenin ballkanik do të ishte vetëvrasje për vendin.

Sipas tij, një iniciativë e tillë rajonale do t’i hapte rrugë ndikimit politik rus në Ballkan.

“Për më shumë, kjo nismë rajonale shihet edhe nga përfaqësimi i një roli aktiv të Rusisë në këtë pjesë të Evropës. Përmes Serbisë, Rusia e krijon një treg të pakontrolluar dhe ku përveç qasjes ekonomike, e ka edhe ndikimin politik. Përfshirja e Kosovës aty do të ishte një vetëvrasje”, ka thënë shefi i stafit në kabinetin e Ramush Haradinajt.

Ai ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë gabim të pafalshëm politik me vazhdimin e kësaj iniciative, pavarësisht refuzimit të Kosovës.

“Nuk i di arsyet e sakta por mendoj se është një gabim i pafalshëm politik [i kryeministrit Rama], dhe kjo tregon se nuk i ka marrë parasysh disa nene të Kushtetutës së vet, meqë Kushtetuta thotë se duhet të ketë kujdes për historinë e shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, ka thënë Selimi.