Prokuroria : Ekspertiza zvicerane nuk gjen ADN tjetër përveçse të Astrit Deharit
Prokuroria Speciale e Kosovës ka deklaruar të martën, 12 prill, se në raportin e pranuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, më 1 prill të këtij viti për rastin e Astrit Deharit, është thënë se analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveçse të vetë atij.
Disa prej objekteve të analizuara kanë qenë brisku i rrojës, stilolapsi i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali.
Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.
Autoritetet përgjegjëse në Kosovë fillimisht e kanë cilësuar vdekjen e tij si “vetëvrasje”, por familja Dehari ka kërkuar që të bëhet ekspertizë ndërkombëtare, për shkak të dyshimeve për këtë konstatim.
“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mos prani të etanolit. Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, është thënë mes tjerash në gjetjet e raportit, ka thënë Prokuroria Speciale më 12 prill.
Dokumenti i dorëzuar më 1 prill të këtij viti është ekspertizë shtesë e kërkuar nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë, pasi më 24 tetor të vitit 2019, Prokuroria Themelore në Prizren pati publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore për rastin e Deharit.
“Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, është thënë në konkluzionet e ekspertizës së vitit 2019.
Me këtë konstatim, Prokuroria e pati kthyer rastin në hetim, pas përfundimeve të mëparshme se bëhej fjalë për vetëvrasje.
Më 30 tetor të po atij viti, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që rasti i Astrit Deharit të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) prandaj edhe janë kërkuar hetime shtesë.
Prokuroria Speciale ka thënë se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Bashkë me Astrit Deharin, ishin arrestuar katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti (v.j. disa prej tyre tashmë nuk i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje).
Ata dyshoheshin për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.
Në shkurt të vitit 2017, familja Dehari vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër/rel