Lajme

Policia nuk arrin të bastisë kazinot në veri të Mitrovicës, serbët u dalin para

Policia e Kosovës ka konfiskuar sot rreth orës 16:00 aparate të lojërave të fatit nga kazino ‘Brazil’ në veri të Mitrovicës, por jo edhe nga kazinotë tjera që ndodhen në atë pjesë të qytetit.


Kazinotë ‘Milenium’, ‘Arena’ dhe ‘Mimi Bet’ të cilat ndodhen në rrugën ‘Ivo Lola Ribar’ në veri të Mitrovicës, nuk janë hapur sot gjatë tërë ditës, ndërsa dhjetëra qytetarë janë tubuar para këtyre kazinove, duke penguar kështu hyrjen me forcë të policisë në këto lokale.

Lokale të tilla ka edhe në pjesë tjera të këtij qyteti, por që nuk janë hapur sot fare. Situata ka qenë e tensionuar përreth një orë, derisa pjesëtarët e policisë janë tërhequr, e pas tyre edhe qytetarët. Burime të KosovaPress-it nga veriu kanë bërë të ditur se tërheqja e policisë është bërë për shkak të mos ngritjes së tensioneve me qytetarët, ndërsa aksioni për konfiskimin e pajisjeve nga këto lokale do të realizohet gjatë orëve të natës.