Petkoviq: E rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar bëri presion mbi Prishtinën

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, vlerësoi se është e rëndësishme dhe domethënëse që bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar thirrjen dhe kërkesën e presidentit Aleksandar Vuçiq që Perëndimi të ushtrojë presionin e nevojshëm ndaj Prishtinës, me qëllim që të “ndalohen vendimet e çmendura të Albin Kurtit”.

“Kemi pasur një ditë shumë të gjatë dhe të vështirë, por do të thosha edhe një natë të gjatë, sepse Kurti nuk dëshiron të negociojë, nuk është i interesuar të ruaj normalizimin e marrëdhënieve. Serbia ishte e vendosur të luftonte fort për ta ruajtur paqen dhe Vuçiqi ishte gati për kompromis. Ne nuk arritëm marrëveshje sepse Kurti gjatë gjithë kohës ka insistuar se i intereson vetëm ‘normalizimi i plotë i marrëdhënieve, që ka në qendër të marrëveshjes njohjen reciproke’”, tha Petkoviq dhe theksoi se një gjë e tillë nuk ekziston në dialog, shkruan kosovo-online.

Petkoviq ka përsëritur se Vuçiq ka pranuar disa propozime dhe ka thënë se është i gatshëm të diskutojë gjithçka, propozimin franko-gjerman, por se vija e kuqe që nuk pranohet është që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.

Sipas fjalëve të tij, presidenti serb urdhëroi gjithashtu që të mos respektohen marrëveshjet e nënshkruara nga Beogradi, Prishtina dhe BE-ja dhe të arrihen marrëveshje të reja.

“Vuçiq u kërkoi serbëve nga Kosova që ta ruajnë paqen, të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre që të mos jenë pala që do të fajësohet për trazira apo konflikte, apo t’i japin Kurtit arsye për të sulmuar popullin serb”, tha Petkoviq.