Të fundit

Përurohet libri ” Kthehu dallëndyshe” i autorit Elton Mehmeti

Në amfiteatrin e shtëpisë së kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, u përurua libri me vjersha i autorit Elton Mehmeti.

Për librin para të pranishmëve foli redaktori i librit Bilall Maliqi dhe recensentja e librit, poetja Marigona Fejzullahu, të cilët e çmuan lart angazhimin e Eltonit në rregullimin e poezive në libër.

Shkrimtari Bilall Maliqi, tha se Eltoni edhe përkundër angazhimit të tij të përditshëm në mësime, ai prapëseprapë nuk iu nda shkrimeve, kësaj radhe poezisë dhe si rezultat i leximit të poetëve të shquar për fëmijë arriti të inspirohet dhe të botoj një libër simpatik me vjersha, të cilat janë të shkurtra, por kanë mesazhin e qartë para lexuesve.

Ai më tej shtoi se ndjehet krenar në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” që po dalin në sipërfaqe edhe pena të reja, të cilët më vonë do të jenë edhe bartës të proceseve kulturore të Preshevës dhe të Luginës.

Edhe drejtori i bilbiotekës së Qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, z. Reshat Neziri, në fjalimin e tij, uroi Eltonin dhe familjen e tij për përkrahjen pa rezervë për të dalë me libër dhe i uroi suksese të vazhdueshme në krijimtari letrare.

Në fund edhe autori i librit, Elton Mehmeti, i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në përurimin e librit të tij të parë me poezi.

Pati edhe deklamime poezish nga libri i Eltonit, nga nxënësit: Diard Daliu dhe Ulpiana Keka.

Ky manifestim ishte planifikuar të ndahet në dy pjesë, ku në pjesën e dytë u organizua edhe një orë letrare, pjesë e Karvanit të Shkrimtarëve të Luginës, në të cilën lexuan poetët e pranishëm nga një poezi: Avni Shaqiri, Nijazi Kastrati, Nehat Ramizi, Bajram Kallaba, Ismet Bajrami, Marigona Fejzullahu, Besa Asllani me një monolog të shkëlqyeshëm dhe poeti Elton Mehmeti.

Ky Manifestim u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” (Luginë e Preshevës) në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë.

www.blicpresheva.com