Shqipëri

Përlotet Kryemadhi: Jemi kërcënuar nga grupe kriminale, vajzën e largova nga vendi

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka deklaruar këtë të enjte në emisionin ‘Open’ se është kërcënuar me jetë nga anëtarë të grupeve kriminale të lidhura me politikën.

Kryemadhi është shprehur se për këtë çështje ka larguar nga vendi vajzën. Kryetarja e LSI-së tha gjithashtu se ka kontaktuar me policinë por nuk ka asnjë besim në zgjidhjen e çështjes.

“Vajzën e vogël, e kam dërguar në shkollë jashtë me konvikt e izoluar, sepse nuk dua që ajo të rrezikojë, sepse duhet të garantoja jetën e vajzës. Unë jam kërcënuar në rrjetet sociale, e jo vetëm”, u shpreh ajo.

Më tutje vetë Kryemadhi tha se bashkëshorti i saj, Presidenti Ilir Meta, nuk pranon që të deklarohet mbi këtë çështje.

Nëse Meta do të ishte më i vërtetë me publikun do të ishte më i mirë, por për të është më i rëndësishëm imazhi i institucionit sesa loja politike”, tha ajo nga studio e emisionit ‘Open’.

“Jeta e një politikane mund të duket e bukur, por edhe ajo është e vështirë. Do të doja që të isha Zonjë e Parë, e besoj do ta bëja mirë këtë rol, por dua që të qëndrojë LSI deri sa të rinjtë të jenë gati për ta drejtuar”, u shpreh Kryemadhi.