ShqipëriTë fundit

Deklarata e fortë e Bashës: Jemi në një betejë për jetë, a vdekje!

“Sot ne ndodhemi në një betejë për jetë a vdekje”. Është kjo një nga deklaratat më të forta që kreu i Partisë Demoratike bëri pas një takimi me kryesinë e kësaj force dhe ish-deputetët në selinë blu pasditen e së mërkurës. Kreu i opozitës ishte i ashpër me kundërshtarin politik të cilin e akuzoi se ka një skenar për të manipuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

“Në vend të zgjedhjeve të lira, Edi Rama ka përcaktuar një kurs përplasjeje me popullin. Kjo duket qartë në listën e kriminelëve dhe vrasësve që ka futur në partinë e tij dhe në partitë e tjera të krijuara nga ai, për të dhënë fasadën e zgjedhjeve”.

Por Basha nuk u ndal me kaq. Ai përmendi me emra të përveçëm kandidatë të Partisë Socialiste për disa bashki të vendit të cilët i etiketoi si “vrasës, përdhunues, trafikantë dhe droge.

“Kandidatë të zgjedhur nga banda e Abdylajve në Shijak, nga Ymer Lala në Dibër, ku ka caktuar edhe kandidatin e PS, edhe kandidatin e Bashkimeve Profesionale të PS. Media është blerë me paratë e vjedhura shqiptarëve. Ka dramë më të madhe se sa mediat ti drejtohen vrasësve me pagesë, si Abedin Oruçi, vrasës me pagesë i Partisë Socialiste, sot kandidat i Bashkimeve Profesionale të Partisë Socialiste, si biznesmen? Vrasës si Ymer Lala, si biznesmen?!” – tha Basha.

Kreu i opozitës ishte i ashpër edhe me një pjesë të mediave të cilat i konsideroi të blera nga paratë që iu janë grabitur shqiptarëve.

“Për shumicën e tyre (kandidatëve)provat kanë dalë, janë bërë publike dhe pavarësisht se në disa raste, disa media i shërbejnë amnezisë në favor të shqiptarëve që i grabiten shqiptarëve dhe u jepen pronarëve të këtyre mediave. Prandaj kjo është një thirrje për ato media që nuk i djeg miza nën kësulë, të nxjerrin arkivin, të mos presin të dal vetëm unë këtu por të bëjnë dhe ata punën e tyre, jo ju, se ju e bëni, ndalet diku ajo punë, dhe ti marrin me radhë këta kandidatë” – tha Basha.

Kreu i opozitës e mbylli me një apel.

“O do të ketë një plan si ky që ka vënë Rama ne lëvizje me kriminelë dhe të emëruar të krimit në gjysmën e bashkive vetëm të një partie, në gjysmën tjetër edhe të Bashkimeve Profesionale të asaj partie, ose do të ketë një fitore të demokracisë, lirisë për çdo shqiptar!”