Të fundit

Pajaziti: Marrveshje të tilla janë të nevojshme edhe pas zgjedhjeve lokale në Bujanoc dhe gjithëpërfshirje në KKSH

Pas unifikimit të spektrit politik shqiptar të Luginës së Preshevës për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare, ka reaguar kryetari i Degës së APN-së në Bujanoc, Arbër Pajaziti.

Postimi i plotë i z.Pajaziti:

Nuk ka dyshim se Marrëveshja e sotme në Tiranë për paraqitjen e faktorit politik shqiptar të Luginës me një Listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare meriton një përgëzim të veçant, ngase paraqet një domosdoshmëri të kohës.

Falenderime në arritjen e këtij koncenzusi politik meriton edhe Qeveria shqiptare në krye me ministrin e jashtëm, z.Gent Cakaj.
Do të kishte qenë mirë që përveç karakterit politik, kjo listë të përmbajë edhe atë territorial, që nënkupton një përfaqësues nga Medvegja si komunë më e diskriminuar.

APN në Bujanoc shpreson se deputetët e ardhshëm në mënyrë të duhur do t’i paraqesin dhe mbrojnë nevojat dhe interesat e popullatës shqiptare në Luginë.

Vlerësojmë se Marrëveshje të këtilla janë të nevojshme edhe pas zgjedhjeve lokale në Bujanoc dhe konstitutimit të organeve të reja në nivel lokal, por edhe në përfaqësimin gjithëpërfshirës në Këshillin Kombëtar Shqiptar.