Pacolli: Këshilltari më rekomandoi të mos ateroj në Prishtinë, kishim frikë nga ndonjë tragjedi
Deputeti i AKR’së, Behgjet Pacolli, ka treguar në emisionin DPT te Fidani në T7 se pse ai vendosi të ateronte në Tiranë javën e kalaur, pasi që fillimisht ishte nisur të ateronte në Prishtinë.
Pacolli thotë se ai ka leje të përhershme që të ateroj në Prishtinë dhe për këtë nuk ka pasur problem, por shton se kishte këshilla që të mos ateronte atje.
‘’Unë jam nisur në Prishtinë me kërcënime nga militantët e VV’’, thotë Pacolli.
‘’Unë kam pasur qindra kërcënime, prej militantëve të VV, që ata të bënin çmos. Ata më kanë kërcënuar familjen time. Ata kanë çuar fotografi të ndryshme. Kanë dërguar fotografi të djalit tim. Nuk e tërheq fjalën që e kam thënë se: është hera e parë që kam pasur frikë nga institucionet e shtetit tim. Janë duke u kërcënuar të gjithë. Janë duke u përgatitur lëndët. Siç e dini, mbrëmjen kur kam ardhur në Prishtinë është arrestuar një militant i VV’së”, tha ai.
Këshilltari më rekomandoi që të mos ateroj në Prishtinë po në Tiranë. Pasi që atje në Prishtinë mundet çdo kush të ketë akses në aeroport dhe mund të hedhë ndonjë gurë në motor të aeroplanit tim pa dijeninë tonë. Kishim frikë për ndonjë tragjedi’’, shton Pacolli.