Osmani: Ahmet Krasniqi u vra pabesisht nga ata që nuk e duan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës
Kandidatja për kryeministre e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe tek varri i Kolonel Ahmet Krasniqit.
Osmani vlerësoi lartë rolin e tij në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës.
“Sot 21 vite më parë është vrarë pabesisht në Tiranë ish-Ministri i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi. Ai ishte strateg dhe vizion. Punoi me shumë shokë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. U vra pabesisht nga ata që nuk e duan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ahmet Krasniqi e njohu si komandant suprem presidentin historik Ibrahim Rugova “.
Ajo kërkoi zbardhjen e rastit të vrasjes, si shenjë e drejtësisë dhe jo hakmarrjes.
” Ne kërkojmë zbardhjen e vrasjes, sepse është plagë për ne dhe familjen. Jo si shenjë të hakmarrjes por si shenjë të drejtësisë “.
Poashtu Vjosa Osmani, bëri homazhe edhe tek varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, në Ditën Ndërkombëtare të Paqes.
“Presidenti historik Ibrahim Rugova, i tregoj botës se shqiptarët janë popull paqësor dhe liridashës”- tha Osmani.