Lajme

Opozita kritikon programin e Kurtit, koalicionin me LDK-në e quan të panatyrshëm

Shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare kanë shprehur kundërshtimin për Albin Kurtin në seancën në të cilën ai pritet të marrë postin e kryeministrit.

Bedri Hamza, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se nuk kanë parë akoma program të qeverisë mbi të cilin do të mund të diskutonin. Ai ka thënë se nuk mundet një qeveri me një buxhet 3 miliardë eurosh në vit të kryejë punët që i ka premtuar Kurti.

“Dëgjuam ekspozenë e mandatarit për kryeministër. Si deputetë s’kemi program dhe për programin s’mundemi me diskutu në detaje deri sa të njëjtin ta kemi. Ne nuk pamë as përbërjen e kabinetit. Grupi Parlamentar i PDK-së sigurisht se janë përgatitur për këtë seancë. Kanë përgatitur diskutimet e tyre dhe pas diskutimeve tona ne kemi qëndrimin tonë se si do të votojmë”, ka thënë ndër tjerash ai.

Teuta Haxhiu e AAK-së, ka pyetur në fillim nëse Glauk Konjufca ka dhënë dorëheqje apo jo, pasi ia liroi vendin nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavcit. Ajo ka kujtuar disa deklarata të zyrtarëve të Vetëvendosjes ndaj LDK-së, me të cilën kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Edhe Haxhi Shala i Nismës ka kujtuar deklaratat e Vetëvendosjes që ishin shprehur kundër opsionit që Glauk Konjufca të lironte vendin e kryeparlamentarit për LDK-në. Shala ka thënë se “pritet pak nga ky kryeministër”.

Përfaqësuesit e VV-së dhe LDK-së paraprakisht kërkuan votimin e Qeverisë Kurti.

Përfaqësues të minoriteteve kanë thënë se grupi parlamentar 6+ do të jetë pjesë e Qeverisë Kurti.