Lajme

Njësiti special i Policisë së Kosovës niset për në Mitrovicë

Serbët në veri të Kosovës gjatë ditëve të kaluara kanë paralajmëruar se të premten do të organizojnë protesta paqësore në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, pas moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, zgjedhje këto të cilat do të zhvillohen më 3 prill.

Protestën dy ditë më parë e paralajmëroi kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i cili tha situata nuk ka qenë kurrë më e rëndë në Kosovë dhe se sipas tij ndaj serbëve po ushtrohet dhunë institucionale.

“Ne do të luftojmë në mënyrë demokratike dhe të premten do të kemi protesta paqësore si një formë e luftës sonë me një mesazh të qartë, se ne nuk duam të jemi qytetarë të dorës së dytë dhe se askush në shekullin 21 nuk na mohon të drejtat tona themelore. Ne kemi pasur një ditë të gjatë dhe të vështirë.Kjo pasqyron atë që ne si popull po kalojmë aktualisht në Kosovë ”, tha Jevtiq pas takimit që pati në Beograd me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Pas këtyre paralajmërimeve, njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë nisur në drejtim të Mitrovicës.

Në pamjet e publikuara nga RTV Dukagjini shihen autoblinda të shumta të Policisë, të cilat sipas televizionit janë nisur nga kampi “Vrella”në drejtim të Mitrovicës.