Lajme

Në Kosovë së shpejti pritet të lejohet mbajtja e dasmave e ahengjeve

Në Kosovë së shpejti mund tē rikthehen sërish dasmat dhe ahengjet, të cilat u ndaluan për shkak të pandemisë. Drejtues të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës janë takuar me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, të cilit i kanë kërkuar lejimin e dasmave.

Kryetari i Shoqatës së Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK), Hysen Sogojeva, tha se në këtë takim me ministrin Zemaj është dakorduar që të lejohen edhe ahengjet familjare, dasmat e klubet e natës.

“Në takim me Ministrin e Shëndetësisë z. Zemaj ku u dakorduan që në mënyrë institucionale, sa më shpejt të hapet edhe ahengjet familjare, klubet e natës etj., duke pas parasysh rënien e numrit të rastev me covid 19. Gjithashtu duke pasur parasysh që tani edhe disa shtete kanë hequr karantinën për Kosovën, si p.sh. Zvicra dhe kjo do t’i mundësonte mbajtjen e ahengjeve familjare dhe një arsyeje më shumë për gurbetqarët për të vizituar Kosovën, e që njëkohësisht do t’i kontribuonin ekonomisë së Kosovë”, citohet të ketë thënë Sogojeva.

Po ashtu OHTK-ja do të dërgojë një manual Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK dhe organeve relevante për të marrë dritën e gjelbër për fillimin e mbajtjes së ahengjeve, dasmave e klubeve të natës.