Lajme

Ndërpriten punimet e kompanisë serbe që me eskavator po dëmtonte Kalanë e Novobërdës

Punimet në Kalanë qindra vjeçare të Novobërdës po rrezikojnë rrënimin e mureve të saj.

Kompania serbe “Koto” e cila është e kontraktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, UNESCO, me ekskavator ka nisur rrënimin e mureve të kalasë, raporton KTV.

Por, këto punime i ka ndërprerë të hënën Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, pasi i ka vlerësuar si të jashtëligjshme.

Sipas drejtorit të këtij instituti, Ismet Hajrullahu kompania në fjalë që nga fillimi i punës në kala ka krijuar vetëm skandale.

Hajrullahu ka deklaruar se UNESCO e ka pritur me shqetësim nisjen e rrënimit të mureve, derisa shton se për këtë çështje ka biseduar me projektuesin nga kjo organizatë.

Përpos dëmtimit të mureve, sipas Hajrullahut, kompania serbe ka bërë edhe shkelje tjera.

Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore ka bërë të ditur se i ka kërkuar UNESCO-s ndërprerjen e plotë të bashkëpunimit me kompaninë “Koto”. Sipas Institutit, kjo kompani serbe ka betonuar gjetje të rëndësishme arkeologjike të kësaj kalaje.

Ministria e Kulturës ka thënë se punimet nuk do të lejohen të vazhdojnë deri në pranimin e raportit të detajuar, të cilin pret ta pranojë deri në fillim të javës së ardhshme.

“Në të kundërtën, marrë në konsideratë gjendjen e krijuar, përfshirë rrethanat tjera të sigurisë së monumentit, jemi të obliguar të ndërmarrim veprime të tjera në konsolidim të gjendjes dhe në koordinim me institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore dhe të tjera relevante”.

Për këtë rast, ka reaguar edhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore. Në një përgjigje me shkrim për KTV-në, ky Këshill ka thënë se Ministria e Kulturës ka lejuar kompaninë nga Serbia që pa licencë të kryejë ndërhyrje konservuese dhe restauruese.

“Kompania “Koto” nga Beogradi nuk e posedon këtë licencë nga MKRS. Projekti nga fillimi, nuk është dashur të aprovohet dhe të mos jepet leja nëse kompania nuk aplikon pranë institucioneve përgjegjëse të Republikës se Kosovës për licencim. Skandali mendojmë se qëndron në faktin se institucionet tona, në vend se të kërkojnë llogari dhe përgjegjësi nga Kompania ‘Koto’ për shkatërrimet që kanë ndodhur në mars të këtij viti, kanë lejuar që e njëjta kompani të merret gjoja me ‘riparime’ dhe përmirësime të ‘gabimeve’ që ne konsiderojmë se kanë qenë të qëllimshme, gjë që po vërtetohet edhe tani”.

KTV-ja ka dërguar pyetje edhe në adresë të UNESCO-s, por kjo organizatë ndërkombëtare nuk ka kthyer përgjigje. Investimet në Kalanë e Novobërdës kanë nisur në fillim të vitit 2015 dhe kanë përfunduar në tetor të 2016-s, me financim të Komisionit Evropian, në vlerë të 1.1 milion eurove.