Kryesore

Mustafa: Gjuha kërcënuese e Vuçiqit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës është nxitje për polarizim ndëretnik në Bujanoc

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafa ka reaguar ndaj gjuhës kërcënuese të presidentit Vuçiq që foli mbrëmjen e kaluar ndaj shqiptarëve të Luginës.

Reagimi i plotë i Mustafës :

Gjuha kërcënuese e Presidentit Vuçiq ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës është nxitje për polarizim ndëretnik në Bujanoc. Një polarizim që nuk ka ekzistuar edhe në kohërat e luftërave të përgjakshme.

Në vend se të nxis tensione ndëretnike duke (keq)përdorur serbët lokalë për interesa të pushtetit të tij në Beograd, ftojmë Presidentin e Serbisë, si njeriu më i pushtetshëm në vend, që të tregojë gatishmëri për dialog për respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, që është edhe detyrim ligjor dhe kushtetues i Qeverisë së Republikës së Serbisë.

Natyra diskriminuese institucionale ende vazhdon të bëhet përcaktuese e politikave diskriminuese. Të drejtat nuk dhurohen apo jepen nga shteti, por shteti, është i obliguar të i garantoj ato.