Lajme

Mustafa e quan politik paralajmërimin për futjen në karantinë të Pacollit: Duhet parë gjendja e tij shëndetësore

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë po merret me politikë në emër të Covid-19.

Sipas tij, paralajmërimi i kësaj ministrie, se nëse Behgjet Pacolli vjen nga Zvicra do të vendoset në karantinë, është vendim politik.

“Ministria s’mund të marrë vendime të tilla pa e parë dokumentacionin e z. Pacolli për gjendjen e tij shëndetësore, të cilin vlerësim nuk e bëjnë zyrtarët e ministrisë, por ekipet e mjekëve. Ministria e ka vështirë të dëshmojë se nuk ka lejuar raste e raste të shkojnë në shtëpitë e tyre, pas dëshmive që kanë prezantuar për gjendjen e tyre shëndetësore Prandaj nuk ka nevojë ta maltretojnë një deputet dhe një biznesmen të njohur. Sjellja e tillë e kësaj qeverie është argumenti më i mirë që ajo e arsyetoi rrëzimin e saj.
Mos e maltretoni z. Pacolli, mos u thirrni në parimet që nuk i keni zbatuar ju që e keni shkelur Kushtetutën, sepse votat i kemi”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Pacolli pak më herët mbërriti në Tiranë nga Lugano, pasi më herët anuloi fluturimin për Prishtinë.