Mustafa e cilëson Kurtin frikacak, thotë se e dinte se s’do të kishte “thika mbi tavolinë” në Uashington
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ka qenë i bindur se në Uashington nuk do të diskutohej për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
Mustafa ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu e kanë ditur që në Shtëpinë e Bardhë s’do të flitej për ndarje.
“Apo, të shprehem me gjuhën e Kurtit, që s’ka thika mbi tavolinë”, ka thënë Mustafa në T7.
Sipas tij, Kurti, si kryeministër i vendit, ishte frikacak.
“Kam parë mungesë të vendosmërisë, të guximit, që të sfidohet me atë çështje”, është shprehur Mustafa.
“Kam parë që po heziton të shkojë atje. I kam thënë se SHBA’ja s’na sfidon me diçka që ne s’mund ta pranojmë”, ka thënë Mustafa.
“(Richard) Grenell ka thënë se nuk do t’ia imponojmë palëve asgjë që nuk dëshirojnë”, ka treguar kreu i LDK’së.