Meta firmos live anulimin e zgjedhjeve, bën me duar simbolin e shqiponjës
Nuk kishte ndodhur më parë! Pas 41 minutash konferencë për mediat presidenti Ilir Meta ka firmos live shfuqizimin e Dekretit për anulimin zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Dhe në fund kreu i shtetit shqiptar bëri me duar simbolin e shqiponjës.
Sipas Metës, nëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore merr pjesë vetëm mazhoranca, atëherë qytetarëve i cënohet ushtrimi efektiv i të drejtës për të zgjedhur.
“Në këto zgjedhje konkurron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si kryetar bashkie. Kjo gjë tregon qartë se ky proces zgjedhor është fiktiv dhe farsë dhe standardet demokratike shkelen në mënyrën më flagrante. Pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës cënon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilin ndërtohet shteti i së drejtës. Zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike krijon rrezikun e një konflikti civil. Presidenti duhet të angazhohet në mënyrë racionale për të mbrojtur vlerat dhe parimet kushtetuese”, deklaroi Meta.
Nëse dita e zgjedhjeve do të shndërrohet në një beteje force, atëherë zgjedhjet do të humbisnin vlerën e tyre në një shoqëri demokratike. Ky rrezik duhet të parandalohet me mjete kushtetuese ku padyshim përfshihet edhe anulimi i datës së zgjedhjeve. Shfuqizimi i dekretit nënkupton shtyrjen e tyre për një datë tjetër. Anulimi i zgjedhjeve është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe shtyrja e tyre për një datë tjetër të dakordësuar”, theksoi më tej Meta.
Akuza të forta, kreu i shtetit hodhi ndaj qeverisë, për të cilën tha se po tenton kapjen totale të gjithë institucioneve.
“Mazhoranca vijon të tentojë kapjen totale të gjithë institucioneve, kurse opozita deligjitimimin e mëtejshëm të tyre. Me anulimn e datës së zgjedhjeve, Presidenti i Republikës synon të krijojë një hapësirë kohe të nevojshme që palët të reflektojnë. Unë nuk mund të qëndroj indiferent që kriza politike ka shkaktuar dhe do të vazhdojë të shkaktojë tek ekonomia e konsumatorit. Kërkohet reflektim dhe rikthim i normalitetit. Zhvillmi i zgjedhjeve në datë 30 Qershor 2019 pa garë do cënonte ngritjen e integrimit të vendit në BE, do minonte çdo mundësi të çeljes së negociatave si dhe do dëmtonte imazhin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO dhe kryesues i OSBE për vitin 2020. Ftoj të gjithë aktorët vendas dhe ndërkombëtarë që të bashkojnë kontributet për rivendosjen e dialogut dhe për gjetjen e një zgjidhje të qetë. Ndaj i bindur për rëndësinë e këtij akti historik, po e nënshktruaj këtë dekret përpara të gjithë juve”/