Lajme

Memorandum i “mirëkuptimit në arsim” mes Tiranës e Beogradit

Të premten në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Serbisë është nënshkruar një memorandum i “mirëkuptimit në arsim” në mes të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Arsimit të Serbisë të premten në faqen zyrtare.

Sipas njoftimit, duke konstatuar rëndësinë e edukimit në zhvillimin nacional dhe vlerën e bashkëpunimit ndërkombëtar, memorandumin e kanë nënshkruar dekanja e Fakultetit Filologjik të Beogradit, Liljana Markoviq dhe dekani i fakultetit në Tiranë, Artur Sula.

Ministri serb i Arsimit, Mladen Sharçeviq ka thënë se memorandumi është hap i rëndësishëm në drejtim të bashkëpunimit në mes të dy vendeve në fushën e edukimit dhe shkencës. Sipas tij, edukimi dhe shkenca janë komponentë që afrojnë njerëzit.

“Kemi përkrahur dhe kemi ndihmuar që këto dy fakultete të bashkëpunojnë. Hapi i ardhshëm është bashkëpunimi i Universitetit të Beogradit dhe Universitetit të Tiranës. Në fillim të muajit do të nënshkruajmë memorandum me ministrinë përkatëse të Shqipërisë, pasi duam të inkurajojmë bashkëpunimin në fushën e shkencës”, ka thënë Sharçeviq.

Ai ka njoftuar të ftuarit nga Shqipëria me sistemin e arsimit dhe edukimit në Serbi dhe deklaroi se ministria ka siguruar libra shkollorë për studentët në Serbi që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe.

Dekanja e fakultetit në Beograd ka thënë se me memorandum krijohen mundësi tjera të bashkëpunimit, edhe për studimet Master dhe të doktoraturës.

Ndërkohë Artur Sula ka thënë se tani ka mundësi të shumëfishtë të bashkëpunimit me fakultetet në Beograd. Sipas tij nuk ka pengesa për bashkëpunim në nivel universitetesh.

“Hapi i parë pas nënshkrimit të këtij memorandumi është rinovimi i mësimit të gjuhës serbe në fakultetin në Tiranë”, ka thënë Sula.