Me flamurin kuq e zi varroset akademik Idriz Ajeti
Qytetarët të shumtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit akademik Idriz Ajetit, i cili ndërroi sot jetë në moshën 102-vjeçare. Ai me këtë rast u kujtua si intelektual, i cili kontribuoi në pavarësinë e vendit dhe ish-studentët e tij thanë se janë krenarë për veprën që ai la pas vetes.
Në ceremoninë e varrimit, profesor Jusuf Bajraktari tha se Idriz Ajeti ishte një nga figurat më të ndritshme të historisë dhe një veprimtar i palodhshëm në zhvillimet më të vështira të ekzistencës së shqiptarëve.
“Është pothuajse e pamundur me pak minuta që të përmblidhet e gjithë ajo punë shkencore, pedagogjike, arsimore, veprimtaria shoqërore në periudhat më të vështira, në kohët e represionit mbi ne, meritat e jashtëzakonshme të një shekulli e më shumë jetë. Nga e cila mbi 70 vjet veprimtari e dendur shkencore, jo vetëm në fushë të gjuhësisë dhe të albanologjisë, por edhe në edukimin dhe emancipimin e njeriut tonë në rrugën e gjatë dhe të mundimshme drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha ai.
Bajraktari tha se puna e akademik Idriz Ajetit është shtrirë edhe në fushën për të drejtat e njeriut dhe në veprimtaritë shoqërore, duke përmendur kështu kohën, kur ai ishte kryetar i Parlamentit të Kosovës dhe pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë.
“Akademik Idriz Ajeti ka qenë kryetar i Parlamentit të Kosovës, në njërën ndër periudhat më të vështira të saj, si dhe pjesëmarrës i konferencës së Rambujesë. I dashur profesor do të jesh gjithmonë në zemrat dhe në kujtesën tonë, jo vetëm për ish-studentët e tuaj, bashkëpunëtorë të shumtë dhe bashkëvuajtësit e tuaj, por edhe për të gjithë ata të cilëve u ke dhënë dhe ua ndriçove rrugët e shkencës e albanologjisë”, tha ai.
Student i akademik Idriz Ajetit ishte edhe Behram Hoti, i cili për KosovaPress tha se vepra e tij mund të krahasohet me tokën, e cila jep fryte.
“Sot ia dhurojmë këtij dheu dhe atdheut kufomën e tij. Profesori Idriz Ajeti mund të krahasohet me tokën e atdheut tonë që jep fryte, që gjitha frytet i jep toka. Ai ka shumë fryte gjenerata e mbi gjenerata. Profesor Idriz Ajeti dhe profesori Qabej janë dy vëllezër të këtij dheu dhe këtij atdheut. Profesor ynë është ky parlamentar i parë i Republikës së Kosovës 1990”, ka thënë ai.
Akademik Idriz Ajeti ishte albanolog, gjuhëtar, intelektual, pedagog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate.