Maqedoni

Maqedonia e Veriut paralajmëron masa të reja kufizuese për mbrojtje nga COVID-19

Maqedonia e Veriut pritet të aplikojë masa të reja kufizuese pas rritjes së numrit të të infektuarve nga koronavirusi i ri, që shkakon sëmundjen COVID-19.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë të hënën janë regjistruar 12 viktima, 161 të infektuar dhe 154 të shëruar nga 771 teste të realizuara në 24 orët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka propozuar mbylljen e lokaleve të gastronomisë pas orës 23:00, reduktimin e pasagjerëve në transportin publik, orar të ri për punonjësit e administratës, përkatësisht aplikimin e dy turneve në punë apo punë online për kategori të caktuar.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pret që të ketë rezultate nga këto masa dhe ato që ishin propozuar më parë për mbajtjen e maskës në ambiente të hapura dhe ndalimin e lëvizjes së më shumë personave pas orës 22:00.

“Nëse këto masa nuk japin rezultate, atëherë hapi i ardhshëm do të jetë kufizimi i plotë i lëvizjes, përkatësisht ora policore”, deklaroi Filipçe.

Masat e reja të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë duhet të kalojnë në qeveri dhe disa prej tyre edhe në kuvend.

Deri tani në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostikuar 23,788 persona.