Lajme

Kurti: ‘Qeveria koti’ është e dobishme për Serbinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria Hoti në 100 ditët e saj të para ka dëshmuar se “është e dobishme për Serbinë”.

Në një video të publikuar në kanalin e partisë së tij në YouTube, Kurti e ka quajtur Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, “qeveri trefish e pakicës”.

“I kishte vetëm 59 deputetë, 40 deputetë shqiptarë e nuk e kishte as një të tretën e mbështetjes qytetare”, ka thënë ai.

Duke folur për 100 ditët e kësaj qeverie, Kurti ka thënë se ajo “ia ka hapur dyert Serbisë për të diskutuar për pronën e Kosovës dhe ia ka hapur dyert e Shtëpisë së Bardhë presidentit të Serbisë”.

“Çfarë bëri në këto 100 ditë Qeveria Koti? Hoqi reciprocitetin, pushoi kërkimin e njohjeve dhe anëtarësimeve ndërkombëtare për Kosovën, u zotua për të hyrë në ‘Mini-Schengenin’ Ballkanik, e bëri temë Ujmanin, edhe pse është pasuri e Kosovës. U rikthyen te çështja e ‘Zajednicës’ dhe u zotuan për zbatimin e saj. E hoqën emërtimin e Republikës dhe nga pikat kufitare përmendën vetëm Merdarin. E dimë çka ndodhi me menaxhimin e pandemisë, nga një vend shembull, jo vetëm për rajonin, u shndërruam në kampion mortor për numrin e vdekjeve për një milion banorë, duke e rrezikuar jo vetëm shëndetin publik, por edhe sektorin e shëndetësisë. Kjo qeveri përmes temës së Ujmanit që e vendosi në negociata, ia hapi dyert Serbisë që të diskutojë pronën e Kosovës dhe ngjashëm me takimin në Washington ia hapi dyert e Shtëpisë së Bardhë presidentit të Serbisë”, ka thënë ish-kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se pas një marrëveshjeje “me pasoja për Kosovën”, duhet të kishte arrestime. Këtë e ka paralajmëruar nëse ai vjen në pushtet.

“Po të kishte Kosova prokurorë të vërtetë ata do të vepronin menjëherë dhe shteti i së drejtës nuk do t’i duronte as në pushtet e as në liri njerëzit e këtillë. Pikërisht rikthimi ynë në qeveri do të mundësojë shtetin e së drejtës”, ka thënë ai.

“Qeveria Koti mund të sjellë marrëveshje koti. Por përderisa qeverisja e tillë është koti për neve, ajo është e dobishme për Serbinë. Varet nga secili deputet i Listës Serbe dhe është e kapur si asnjëherë më parë”, ka deklaruar Kurti.

Për mungesën e përkrahjes nga partitë tjera për mocionin për rrëzim të Qeverisë Hoti, Kurti ka thënë se “ata po i frikësohen popullit, përkatësisht zgjedhjeve”.