Të fundit

Kronikë zgjedhore/ Sinani prezanton 10 Politikat e qeverisjes për Preshevën Digjitale dhe Transparente

Kandidatja për kryetare të komunës së Preshevës nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik prezantoi 10 Politikat e qeverisjes për Preshevën Digjitale dhe Transparente.

Më poshtë mund ti mësoni se cilat shërbime dixhitale premton Sinani në rast se ajo do të qeverisë me pushetit lokal të komunës Preshevës

● E-administrata

Komuna e Preshevës do t’i ofrojë shërbimet e saj në formë elektronike. Brenda dy viteve të para të qeverisjes, çdo shërbim/dokument që ofrohet në sportelet e Komunës do të mund të porositen ONLINE/internet dhe do të merren të gatshme në Komunë ose me postë në shtëpi.

● E-Prokurimi

Do të digjitalizohet dhe bëhet i qasshëm prej biznesit/zyres për të gjithë, duke mundësuar që e gjithë procedura e prokurimit të zhvillohet online.

● Buxhetimi me pjesëmarrje

Ndërtimi dhe planifikimi i buxhetit do të bëhet me qytetarët e komunës së Preshevës. Kjo qasje do t’ua mundësoj të gjithë qytetarëve që të japin idetë e tyre sesi dhe ku duhet të shpenzohet pjesa e buxhetit për investime kapitale në fshatrat dhe lagjet e tyre.

● Konsultimet publike

Do të sigurohemi që për secilin vendim madhor të organizohen së paku dy konsultime publike shtesë me qytetarë e palë të interesit. Këto konsultime do të bëhen përtej kërkesave ligjore.

● Raportime të rregullta

Ne do t’i bëjmë publike të gjitha projekt-dokumentet për të marrë mendimin e qytetarëve para se ato të miratohen në Kuvend me anë procesit të konsultimeve publike. Publikimin e raportit të shpenzimeve ne baza tremujore në webfaqe të komunës, si dhe publikimin e vendimeve të asamblesë dhe gjitha këto do të paraqiten në mënyrë të qartë dhe vizuele në mënyrë që qytetaret të kenë informatën për çdo cent të shpenzuar.

● E-peticione

Kuvendi do të jetë i obliguar ta shqyrtojë secilin propozim që përmes peticionit elektronik ose fizik merr përkrahjen e së paku 1 mijë qytetarëve. Ne do ta ndërtojmë një platformë për këtë në webfaqen e Komunës.

● E-inspektori

Qyetarët do të mund të raportojnë përmes internetit ose numrit të telefonit pa pagesë problemet në infrastrukturë publike, si gropat në rrugë, mungesa e kapakëve të pusetave, uzurpimi i pronës publike, rregullimi i rrjedhjeve të ujit apo shpërthimet e gypave të ujërave të zeza, etj. Shërbimi përkatës komunal do të reagojë për të përmirsuar problemin duke dhënë kohën brenda së cilës do të rregullohet problemi.

● Video-Pjesëmarrja

Aktivitetet kryesore dhe seancat e Kuvendit Komunal do të jenë online/incizohen dhe gjithashtu do të publikohen në kanalin zyrtar të Komunës në YouTube.

● Qasja e Garantuar

Të gjitha kërkesave nga qytetarët dhe palët e interesuara për dokumente zyrtare, Komuna do t’u përgjigjet brenda tre ditë pune. Kur nuk e dini ku duhet kërkuar dokumentin e caktuar, ne do t’ju ndihmojmë ta gjeni atë me info sportelin fizik dhe online të Komunës.

● Open Presheva

Komuna do t’i vë në dispozicion resurset e saj për të ndihmuar sektorin privat që të ofrojë zgjidhje shtesë që përmirsojnë jetën e qytetarit. Ne do t’i vëmë në dispozicion të gjitha informatat, përfshirë këtu hartat dhe të dhënat tjera (open data) në të mirë të qytetarit.

Këto 10 politika janë përgjigja jonë për një Preshevë me shërbime moderne të digjitalizuara, që sigurojnë një transparencë të plotë për secilin diskutim dhe vendim.
Në mandatin tim, Presheva do të jetë shembull i mirëqeverisjes me para publike, i transparencës për secilin vendim dhe i llogaridhënies.

Sepse Unë Jom me Preshevën

Voto4