Lajme

Kosovë, përurohet shtëpia për të moshuarit pa përkujdesje familjare

Mbi tre mijë donatorë kanë ndihmuar në ndërtimin e “Shtëpisë së të Moshuarve”, e cila do të shërbej për strehimin e atyre të cilët janë pa përkujdesje familjare. Iniciatorë i këtij projekti është shoqata “Jetimat e Ballkanit”, e cila tash e sa vjet po ndihmon familjet në nevojë. Kështu sot në fshatin Gjinoc të Suharekës, është bërë edhe përurimi i “Shtëpisë së të Moshuarve”, ku veç tjerash nuk munguan premtimet nga përfaqësues institucional, për kujdes shëndetësor të banorëve të kësaj shtëpie.

Ky objekt nga e shtuna, do të jetë strehë për të moshuarit pa përkujdesje familjare, ku edhe u dorëzuan çelësat për dy banorët e parë të kësaj shtëpie.

Kryetari i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati tha se ky projekt është ide e jetës së tij. Ai theksoi se gjatë kësaj dekade të veprimtarisë së tyre janë ballafaquar me shumë sfida dhe situata të rënda.

“Rrëfimet prekëse të shumë jetimëve, skamnorëve, e të sëmurave dhe hallegjinjëve na bëjnë që shumë netë t’i kalojmë pa gjumë, por vëllezër dhe motra të pranishëm prekë, rrëqethëse dhe të pakëpërdishme janë rrëfimet e të moshuarve tanë që për një apo tjetër arsye nuk kanë shijuar kënaqësinë e të qenurit prindër. Rrëfimet e tyre janë prekëse, ta dridhin zemrën dhe ta thajmë fytin”, u shpreh Kastrati.

Humanisti Halil Kastrati tha se shoqata “Jetimat e Ballkanit”, përkujdeset për shumë të moshuar, ku tregoi se si dy raste kanë qenë vendimtare që e kanë shtyrë atë për realizimin e këtij projekti.

“Një ditë të zakonshme shkuam për t’i vizituar disa nga të moshuarit, por njërin nga pleqtë që na priste me padurim, e gjetëm të vdekur, kishte ndërruar jetë pa e parë askush. Kishte ndërruar jetë me sy hapur. Vazhduam rrugëtimin te një tjetër i moshuar, e i cili sa herë që shkoja m’i kapte duart dhe donte të mi puthte. Thoshte se duart e tua kanë ledhatuar shumë jetimë. Andaj dëshiroj t’i puth ato duar, dhe i them atij që shyqyr që na i mundësoi Zoti që të jem unë ai që ledhatoj kokat dhe duart e tyre”, ka shtuar Kastrati.

Humanisti Halil Kastrati, u zotua se angazhimi i tyre nuk do të përfundojë këtu, duke shtuar se do të jetë gjithmonë pranë personave të cilët do të kenë nevojë për ndihmë.