Maqedoni

Koronavirusi/ Anulohen zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Partisë Socialdemokrate në pushtet, Zoran Zaev pas takimit të mbajtur me presidentine Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka thënë, se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Për datën e re të zgjedhjeve do të vendoset pas normalizimit të gjendjes së krijuar nga Covid-19, tha ai. “Nuk ka kushte për zgjedhje normale, liderë të përgjegjshëm të gjithë vihen në funksion në luftë me koronavirusin”, ka deklaruar Zaev.

Pritet shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme

Zaev ka theksuar se gjendja është shumë serioze. Ai ka kërkuar edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend. “Mënyra më e mirë për përballjen me koronavirusin do të ishte shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe jo shpallja e gjendjes së krizës, siç kërkoi lideri i opozitës, Hristijan Mickovski. Kjo do të na ndihmojë në marrjen e masave adekuate për të mbrojtur jetën e qytetarëve, marrjen e masave ekonomike dhe të masave tjera në funksion të normalizimit të gjendjes”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka mbështetur masat, por ka kërkuar edhe respektimin e Kushtetutës, si në rastin e anulimit të zgjedhjeve, ashtu edhe për përballje me koronavirusin, gjegjësisht shpalljen e gjendjes së krizës. “Mbetemi në qëndrimet se prioritet mbetet shëndeti i qytetarëve dhe përballja me virusin. Edhe më parë kemi tërhequr vëmendjen për masa më të qarta dhe efikase dhe jo të priten paraqitjet e rasteve që më pas institucionet të nisin me punën. Që para një jave kërkuam masa parandaluese, por institucionet pritën paraqitjen e rasteve të para që më pas të ndërhyjnë”, ka deklaruar Mickovski.

Përfaqësuesi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani pas takimit të së martës në kabinetin e presidentit, Stevo Pendarovski, njoftoi se të gjitha partitë politike janë dakorduar, se duhet të shtyhen zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Osmani theksoi se presidenti Pendarovski në konsultim me ekspertët juridikë do të përcaktojë mënyrën ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve. “Kemi konstatim të përbashkët se zgjedhjet do të duhet të anulohen, sepse shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm. Mënyrën se si do të implementohet ky vendim politik mbetet që presidenti së bashku me ekspertët ta vendosë në orët dhe ditët në vazhdim”, ka thënë Osmani.