Të fundit

Komuna Preshevës fillon renovimin e hyrjeve të banesave kolektive të qytetit

Duke i parë kushtet e vështira që gjenden në hyrjet e banesave kolektive shoqërore të ndërtuara para së paku 40 viteve dhe nevojës për intervenim në përmirësimin e këtyre kushteve, komuna e Preshevës ka marrë marrë përsipër të bëjë renovimin e hyrjeve në banesat shoqërore kolektive.

Ky renovim përfshin ndërrimin dhe modernizimin e instalimeve të ndriçimit me sistem komplet të ri (me nenzorë), përmirësimin e dëmtimeve në muret e hyrjeve, si dhe lyerjen e tyre.

Në kuadër të këtij intervenimi, gjithashtu do të bëhet gërryerja, përmirësimi dhe lyerja e parmakëve (gilinderëve) të shkallëve, si dhe do të ndërrohen të gjitha dyert kryesore në çdo hyrje.

Po ashtu, do të bëhet përmirësimi dhe ngjyrosja e dy pasazheve (nënkalimeve) dhe vizatimi i tyre me motive të ndryshme, si dhe do të bëhet vendosja e rezervuarëve të ujit përfshirë dhe pompat për furnizim më kualitativ me ujë të pijshëm për banorët e këtyre banesave kolektive në qytet.

Është hera e parë në historikun e këtyre banesave, që komuna e Preshevës të ndërmarrë një projekt që do të ndikojë drejtpërdrejtë në përmirësimin e kualitetit të jetës së banorëve të këtyre banesave, që e jetojnë në mënyrë të përditshme.