Lajme

Kompanisë serbe, MTS, i hiqet licenca e biznesit në Kosovë

“Telekom Serbia” njoftoi se ka pranuar vendimin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) të Qeverisë së Kosovës, se kompanisë MTS d.o.o. i është hequr licenca e biznesit për shkak se “një anëtar i menaxhmentit të kompanisë ka pasaportë të lëshuar nga Republika e Serbisë”.

Megjithatë, më 1 gusht, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës publikoi një listë me dhjetëra kompani, me adresa të kontestuara në dokumentet e regjistrimit, të cilave tha se do t’u hiqet leja e punës.

Në mesin e këtyre kompanive është edhe MTS d.o.o. – kompania simotër e operatorit shtetëror të telekomunikacionit të Serbisë, “Telekom Serbia”, që është themeluar më 2015 në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, që Kosova dhe Serbia arritën në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.

Në dokumentet që ka siguruar REL nga ministria kompetente, MTS d.o.o. është regjistruar në Mitrovicë të Veriut si operues në sistemin serb, gjegjësisht në adresë “Mitrovica e Kosovës, Republika e Serbisë”.

Selia e kësaj kompanie është në Mitrovicë të Veriut, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Kjo kompani ka degë edhe në vendbanime të tjera serbe në Kosovë: Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shërpcë dhe Ranillug.