Të fundit

KKSH dhe Shoqata e Mjekëve të Luginës fillojnë iniciativën për hapjen e spitalit regjional

Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqipar në krye me kryetarin e saj Ragmi Mustafën gjatë ditës së sotme priten në takim përfaqësuesit e Shoqatës të Mjekëve të Luginës.

Temë kryesore e këtij takimi ishte fillimi i një iniciative për hapjen e spitalit regjional në Luginën e Preshevës, transmeton Ministria e Lajmeve.

Njoftimi i plotë i kryetarit të KKSH-së

KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTAR DHE SHOQATA MJEKËT E LUGINËS TË GATSHËM PËR REALIZIMIN E INICIATIVËS PËR SPITAL TË LUGINËS

Pata kënaqësinë të mirëpres përfaqësuesit e Shoqatës Mjekët e Luginës të kryesuar nga kryetari, dr. Bekim Arifi, dr. Xhejlane Ferati, dr. Afërdita Mustafa dhe dr. Beqir Nuhiu për të realizuar iniciativën e përbashkët për sigurimin e mbrojtjes shëndetësore sekondare (spital) për Luginën e Preshevës.

Duke iu falënderuar të gjithë stafit për mbrojtje shëndetësore, e në veçanti mjekëve për angazhimin e paepur gjatë pandemisë me Covid-19 theksova se kjo ka shpërfaqur nevojën e domosdoshme për trajtimin e shëndetit publik në nivel spitalor.

Bashkërisht diskutuam për strategjinë e veprimit e avokimit, posaçërisht në identifikimin e mundësive dhe mënyrat e realizimit.

Me këtë rast i bëj ftesë të gjithë të interesuarve t’i bashkohen kësaj iniciative e cila është e paraparë në ”Planin 7 pikësh” dhe dokumentet tjera strategjike.

Shëndeti publik dhe sigurimi i mbrojtjes shëndetësore sekondare (spitalor) është përgjegjësi e prioritet i të gjithëve. Brenda autorizimeve institucionale të bashkëveprojmë.