Të fundit

Kamberi: Politizimit të procesit elementar të demokracisë t’i përgjigjemi me bojkot

Postimi i plotë i kryetarit të PVD-së Shaip Kamberit

Gjykata Administrative ka refuzuar, sot, Ankesën e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës duke e lënë në fuqi vendimin e Komisionit Republikan Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në njësinë numër 6 në Tërnoc.

Pas kësaj situate të re të krijuar me vendimin e Gjykatës administrative në Beograd në të cilën shprehet qartë qëllimi për eliminimin e prezencës së Shqiptarëve në Parlamentin Republikan, na mbetet të vendosim nëse ia vlenë të merret pjesë në një proces zgjedhor i cili po shndrrohet në farsë politike të binomit Vuçiq-Daçiq.

Në një shtet si Serbia, në të cilin siguri juridike fare nuk ekziton, sidomos për pakicat të cilave i mohohet edhe e drejta e përfaqësimit dhe në të cilin lufta për të drejta individuale dhe kolektive po bëhet gjithnjë e më e vështirë, të marrësh pjesë në procesin e instrumentalizuar të zgjedhjeve mund të jetë në dobi vetëm atyre që, duke përdorur ndikimet politike në të gjitha sferat e pushetit deri te gjyqësori, po mohojnë postulatet elementare dhe fundamentale të demokracisë, po shkelin në mënyrën më flagrante të drejtat e njeriut dhe pakicave.

Me këtë vendim të gjykatës së politizuar Shqiptarëve të Luginës së Preshevës i pamundësohet përfaqësimi në institucionin më të lartë të këtij shteti.

Shtetit i cili refuzon të përmbushë tre marrëveshjet politike të nënshkruara me përfaqësuesit shqiptar dhe i cili që nga viti 2001, në vazhdimësi, po refuzon integrimin e Shqiptarëve në institucionet publike dhe shtetërore.

Në gjithë periudhën e veprimit tonë politik, pjesmarrjen në proceset politike e këmi konsideruar të rëndësisë së veçantë, por, jo edhe atëherë kur, strukturat e organizuara shtetërore me ndikimin e tyre politike këto procese tentojnë t’i shndrrojnë në farsë të demokracisë.

Edhe ashtu, e gjithë loja politike me stërgjatjen e këtij procesi zgjedhor po shndrrohet në instrument blerje kohe nga partitë qeverisëse në Beograd, të cilat, premtuan në qendrat e vendimarrjes në BE, për ndryshimin e kursit ndaj Rusisë.

Prandaj, duke mos dashur asnjëherë që çështja e përfaqësimit palamentar të shndrrohet në një luftë të thjeshtë për një vend pune, Partisë për Veprim Demokratik dhe partnerëve tanë të koalicionit do t’i sugjeroj bojkotin e zgjedhjeve që do të përsëriten në vendvotimin nr. 6 në Tërnoc.

Megjithatë, vendimin definitiv do ta marrim ditëve në vijim, pas një analize të hollësishme të situatës së krijuar. Por, jo me çdo kusht dua të jem deputet në parlamentin e një shteti autoritar me demokraci hibride.

Interesant por vendimi i gjyqësorit, vjen (me 7 ditë vonesë) pikërishtë në ditën kur disa shkolla shqipe morrën alarmin për vendosjen e bombave ne objektet e tyre.