Kamberi: Ndihma e Kosovës e destinuar, nuk ka nevojë për poenë politik
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi është shprehur se me mjetet e ndara prej 200 mijë euro të Kosovës nuk duhet të bëhët politikë lokale.
“Mjetet e ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës janë rezultat i kërkesave konkrete të drejtuara me shkrim. Shpenzimi i tyre po ashtu bëhet në bazë të kërkesave tona të parashtruara në komunikimin tonë institucional, për çka edhe janë të destinuara ato”, ka shkruar Kamberi në facebook.
Sipas Kamberit ato mjete nuk janë ndarë paushall e aq më pak pa destinim.
“Prandaj edhe nuk ka nevojë për politikë e për poenë politik. Mjetet janë ndarë nga institucioni për institucionin. Ato do të menaxhohen nga institucionet e do t’i shërbejnë qytetarëve” shkroi Kamberi.
Më 23 prill të këtij viti qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për mbështetjen financiare për komunën e Preshevës, komunën e Bujanovcit dhe komunën e Medvegjës në vlerën prej 500,000.00 € që do të përdoren për përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia”.
Shaip Kamberi ka njoftuar se më 29 prill u përmbyll procedura e transferimit të 200 mijë eurove nga Buxheti i Republikës së Kosovës në buxhetin e komunës së Bujanocit.