Lajme

Jashari: Pas situatës me koronavirus do t’i përgjigjem Lushtakut me shumë të vërteta të pakëndshme

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se pas situatës me koronavirus do t’i përgjigjet kryetarit të degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtakut, me siç thotë ai, shumë të vërteta të cilat nuk do të jenë këndshme për të.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qytetarët do të njoftohen me gjendjen në të cilën e ka gjetur komunën pas marrjes së mandatit.

“Pas tejkalimit të situatës do të gjejë kohë t’i përgjigjem Samiut për të thënë shumë të vërteta që për të nuk do të jenë aspak të këndshme kurse qytetarët do të njihen me gjendjen në të cilën e kam gjetur komunën pas marrjes së mandatit dhe të vërteta të tjera të kohës së luftës dhe paqes që më herët nuk i kanë ditur. Unë jam Kryetar i zgjedhur nga qytetarët, punoj me duar të pastra, me transparencë e llogaridhënie, angazhohem për mirëqenien e qytetarëve dhe vlerësimin për punën time, projektet dhe të arriturat e komunës që unë udhëheqë e japin qytetarët me vullnet të lirë dhe pa ndikime”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka shkruar se Lushtaku ka vazhduar me shpifje e deklarata, pas reagimit të tij se si dega e PDK-së në Skenderaj ka shpërndarë ndihma me llogo të partisë, duke cenuar integritetin e familjeve në nevojë.

“Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, nuk do të merrem me deklaratat e tij derisa të përfundojë kjo pandemi, sepse fokusi jonë është menaxhimi efikas i situatës dhe përkrahja për qytetarët në nevojë. Do të vazhdoj bashkë me qytetarët kundër së keqes”, ka shkruar ai.