Opinione

Janusz Bugajski: Uashingtoni po mundëson një krizë të re në Ballkan

Ndërsa pandemia e koronavirusit shqetëson Uashingtonin, administrata e Trump pa dashje po inkurajon një konflikt të ri në Ballkan. Në një përpjekje të nxituar për të ndërtuar një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, Shtëpia e Bardhë mund të dobësojë mjaft arritje të Perëndimit dhe të nxisë rivalitete të reja rajonale.

Kosova është në mes të një krize politike, pasi qeveria me koalicioni ra për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kundërpërgjigjet ndaj pandemisë. Por beteja e vërtetë ka vënë në vështirësi Presidentin Hashim Thaçi, i cili ka diskutuar në mënyrë të fshehtë ndarjen e Kosovës me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke iu kundërvënë kryeministrit Albin Kurti, i cili kundërshton çdo ndryshim kufiri. Uashingtoni ka mbajtur qartësisht anën e Thaçit me shpresën e dëshpëruar se kështu mund të zgjidhet më shpejt mosmarrëveshja Serbi-Kosovë.

Problemi thelbësor është refuzimi i Beogradit për ta njohur Kosovën si një shtet të pavarur. Ky bllokim pengon ambiciet e Serbisë për të hyrë në BE dhe ngrin anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Në vend që të bien dakord për hapat drejt njohjes dypalëshe, Thaçi dhe Vuçiç duket se besojnë se një shkëmbim territoresh do të jetë një shkop magjik në normalizimin e marrëdhënieve.

Rënia e qeverisë së Kurtit i jep Thaçit mundësinë që të anashkalojë qeverinë dhe parlamentin në marrëveshjet me Beogradin. Thashethemet e përhapura në Prishtinë për shkëmbim territoresh të mbështetur nga SHBA madje detyruan Departamentin e Shtetit të lëshojë një deklaratë që mohon ekzistencën e ndonjë plani sekret. Por formulimi i deklaratës ndikoi pak në qetësimin e frikës në rritje se Thaçi dhe Vuçiç po negociojnë me bekimin e Uashingtonit.