Lajme

Ivica Daçiq : Do të pranonim korrigjimin e kufijve, por nuk na e japin veriun

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka paralajmëruar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë menjëherë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi.

I pari i diplomacisë serbe ka deklaruar se qytetarët serbë do të përkrahnin propozimin e Beogradit për korrigjimin e kufirit me Kosovën, nëse kjo do të nënkuptonte marrjen e veriut të Kosovës nga Serbia.

Më tutje, në intervistën e tij për “TV PRVA”, Daçiq ka thënë se as Beogradi nuk ka pushtet në Prishtinë, por as Kosova në veri të Mitrovicës.

“Kjo nuk është diçka që ne kemi, është diçka për të cilën duhet të luftojmë. Ne nuk kemi pushtet faktik në Prishtinë, por as ata nuk e kanë pushtetin faktik në veriun e Kosovës … Parashikimet janë se bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina nuk duan ta japin as këtë. Ne kemi bërë që të arrihen 18 tërheqje të njohjeve të Kosovës. Ata tani nuk kanë shumicë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara “, tha Daçiq.

Daçiq ka paralajmëruar se dialogu do të rifillojë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, kurse është paraparë që më 22 qershor Beogradin ta vizitojë Miroslav Lajçak – emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa të nesërmen presidenti serb do të udhëtojë në Moskë e tri ditë më vonë në Uashington.